Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ndeshja Shqipëri-Spanjë, policia publikon planin e masave

Ndeshja Shqipëri-Spanjë, policia publikon planin e masave
October 08
14:59 2016

Në orën 20:45 të mbrëmjes të së dielës, në stadiumin Loro Boriçi, do të zhvillohet ndeshja Shqipëri-Spanjë, e vlefshme për “Rusia 2018”.

Me qëllim mbarëvajtjen e kësaj ndeshje, janë marrë një sërë masash ndaluese që do të garantojnë sigurinë. Në njoftimin e saj për mediat, Policia e Shkodrës ka bërë me dije rrugët që do të bllokohen dhe kërkon mirëkuptimin e sportdashësve që të zbatojnë masat e marra dhe të shmangin mbajtjen e sendeve të forta ose fishekzjarreve.

Njoftimi i Policisë së Shkodrës

Për parkim të automjeteve në qytetin Shkodër do të përdoren këto vende:

Sheshi “Mehmet Shpendi” tek ish Ndërmarrja e Fermentimit.

Gjatësia e rrugës së Shkollës së Mesme Industriale “Arben Broci”.

Sheshi tek stacioni i trenit të udhëtarëve.

Sheshi dhe rruga tek “Fusha e Druve” në unazën lindore.

Nga ora 08:00, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, si dhe do të bëhet largimi i automjeteve të parkuara në këto akse rrugore:

Në rrugën “Bujar Bishanaku”, (ose rruga e gjerë e Kirasit), duke filluar nga ora 08:00, datën 9 tetor 2016 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve dhe nga ora 12:00 do të ketë ndalim të qarkullimit rrugor dhe ndalim të parkimit të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24:00.

Unaza perëndimore, duke filluar nga Rrugën Bajram Curri deri te Rrugën Ibrahim Rugova.

Rruga Muhamet Dibra deri te parkimi i stadiumit.

Marrja e këtyre masave bëhet për arsye se rruga “Bujar Bishanaku”, do të jetë e vetmja rrugë kryesore e hyrje-daljes së tifozëve vendas dhe të huaj.

Në aksin bulevardi “Zogu i Parë” (ose sheshi Parrucë deri tek “Ish 5-Heronjtë”), duke filluar nga ora 10:00 do të ketë kufizim të qarkullimit dhe ndalim parkimi të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24:00.

Do të ndalohet parkimi i automjeteve dhe lëvizja e tyre nga degëzimet e rrugës që të çojnë në rrugën “Bujar Bishanaku” dhe anasjelltas, nga ora 10:00 deri në ora 24:00.

Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën “Zyhdi Repishti” (rruga e ish poligonit të qitjes) nga ora 10:00 deri në orën 24:00.

Do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën e tregut industrial dhe fruta-perime në Zdrale nga ora 10:00 deri në orën 24:00.

Do të ketë kufizim lëvizjeje të automjeteve në orët e pasdites deri në përfundim të ndeshjes në segmentet rrugore:

“Xhabije – Parrucë”

“Sheshi 2 Prilli – Parrucë”

“Kryqëzimi i ish degës – Ish 5-Heronjtë”

“Kryqëzimi i Rusit – Ish 5-Heronjtë”

Kërkojmë mirëkuptimin e sportdashësve që do të  marrin pjesë në këtë aktivitet në respektimin dhe zbatimin e këtyre masave si dhe pajisjen me biletë dhe dokument identifikimi, duke shmangur njëkohësisht mbajtjen me vete dhe futjen në ambientet e stadiumit të, sendeve të forta, borive, shisheve të çfarëdo lloji, fishekzjarrëve, monedhave apo sendeve metalike, pasi në hyrje do të kontrollohen fizikisht të gjithë.

Njoftojmë administratorët e bizneseve që zhvillojnë aktivitet tregtar përreth dhe në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” të tregohen mirëkuptues duke i mbyllur aktivitetet në orën 14:00.

/Blitz.al/