Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Ndërtimi tek ish-parku, Basha e cilësoi si vepër të oligarkisë që ka marrë peng Veliajn, firma i kundërpërgjigjet

Ndërtimi tek ish-parku, Basha e cilësoi si vepër të oligarkisë që ka marrë peng Veliajn, firma i kundërpërgjigjet
July 02
18:21 2017

Mesditën e sotme lideri demokrat Basha, ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës, ka reaguar lidhur me ndërtimin që po kryhet në zonën e ish-parkut të autobusëve në Tiranë.

Basha shkruante se lulishtja pranë parkut ishte një nga investimet e tij si kryebashkiak.

REAGIMI I BASHËS

Lulishtja pranë parkut të autobusëve ishte një nga investimet e mia si kryebashkiak në shërbim të qytetarëve të një prej zonave më të populluara të Tiranës. Erjon Veliaj, vegël e bindur në duart e oligarkisë që sundon vendin, e shkatërroi këto ditë lulishten dhe lejoi betonizimin e saj në favor të Besnik Sulajt, klientit të rëndësishëm të Edi Ramës.

Qytetarëve të revoltuar ata iu përgjigjën dje me dhunën e policisë. Edhe më i rëndë qe dhunimi i të drejtave të qytetarëve nga mediat kryesore të vendit të kontrolluara nga oligarkia, të cilat e fshehën protestën dhe dhunën e policisë.

Ndërkohë, Shqipëria po përjeton këto ditë mungesë dritash dhe uji sepse paratë publike u përdorën për të manipuluar votën dhe jo për të blerë energji për njerëzit.

Pushteti oligarkik herët a vonë degjeneron në pushtet të dhunës dhe të errësirës. Përballja me të është sot sfida kryesore e opozitës dhe e të gjithë njerëzve të ndershëm për të ndalur rrënimin e qyteteve, të ekonomisë dhe të ardhmes tonë.

 

Por menjëherë pas deklaratës së sotme të kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili shprehej kundër ndërtimit të pallateve në zonën e ish-parkut të autobusëve, ka reaguar firma e ndërtimit e cila merret me këto punime.

Në një deklaratë për mediat, firma “Arlis Shpk” shprehet se leja e ndërtimit është marrë në vitin 2013 pas miratimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës, kohë kur bashkinë e drejtonte Basha.

DEKLARATA

Jemi njohur para pak me deklaratën e z. Basha ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe autor i Planit Vendor 2013 që parashikon zhvillimin e pronës tonë private në Rr. e Kavajës – shih bashkangjitur planin me firmën e z. Basha!

Hapësira në fjalë është pronë private e familjes Nela dhe e një subjekti privat, i cili ka aplikuar për leje ndërtimi sipas ligjit në Bashkinë e Tiranës. Leja në fjalë është lëshuar në bazë të Planit të Përgjithshëm Vendor të Tiranës i miratuar në vitin 2013 nga ish- kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Plani i asaj kohe parashikonte ndërtime banimi dhe shërbimesh në këtë hapësirë.

Procedura është ndjekur nga subjekti përgjatë vitit të kaluar, kur në fuqi ishte ende plani urbanistik i hartuar nga Lulzim Basha.

Sipas legjislacionit në fuqi, nëse një subjekt aplikon për një leje ndërtimi brenda normativave dhe parashikimit të planit në fuqi, si dhe prona e tij është e pastër, bashkia ka detyrimin që brenda 45 ditëve të miratojë lejen e ndërtimit, përndryshe kjo leje miratohet në heshtje dhe funksionarët përgjegjës ndiqen penalisht për shpërdorim detyre.

Objekti privat në fjalë është një objekt multifunksional për banim dhe shërbime. Ky objekt do të zhvillohet në 3 faza. Prona nuk ka qenë kurrë lulishte ashtu si dhe banorët përreth jetojnë në pallate që gjithashtu ishin me bar nga ish-uzina, por si dhe ne i zhvilluan privatisht.

Në 2013-n, bashkia e asaj kohe na dërgoi Kunatin për t’i “falur” një pjesë të konsiderueshme të ndërtimit. Ne e refuzuam këtë pasi ishte një “gjobë” për të lejuar diçka që vetë Plani 2013 e lejonte. Kur ne refuzuam gjobën e Kunatit, z. Basha bëri një teatër duke e quajtur “lulishte” pronën tonë private si hakmarrje që nuk i falëm gjysmën e biznesit.

Në 2015-n bashkia e re rriti ndjeshëm taksat për ndërtuesit gjer në 10-fish, ndaj sot Bashkia e Tiranës nga të tria këto faza përfiton jo pak por 5 milionë euro taksë për investime publike.

Për më tepër bashkia e re ka kërkuar që 50% e territorit të lihet e gjelbër si lulishte për komunitetin.

Në terma financiarë, për kompaninë tonë pagesa e kësaj takse gjigante dhe falja e gjysmës së pronës komunitetit është njësoj në vlerë me atë që kërkonte Kunati. Por ne pranuam më mirë t’ia japim këtë bashkisë për interes publik sesa një individi privat të lidhur me ish-kryetarin!

I gjithë zhvillimi zë më pak se gjysmën e truallit privat mbi të cilin zhvillohet, gjysma tjetër e truallit do të kthehet në hapësirë të gjelbër publike, kurse pronësia mbi këtë hapësirë i kalon përfundimisht bashkisë si pronë publike.

I lusim të gjithë politikanët të mos abuzojnë me pronën tonë private as sot me protesta që na vënë gjobat e radhës – kemi paguar taksat 10-fish e po falim gjysmën e pronës, nuk mundemi t’ju japim më shumë!

Share