Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ndahet nga jeta Françesk Radi

Ndahet nga jeta Françesk Radi
April 03
14:42 2017

Këngëtari dhe kantautori i njohur Françesk Radi ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare.

Prej 27 marsit, Radi ndodhej i shtruar në reanimacionin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në gjendje shumë të rëndë shëndetësore për shkak të një hemorragjie cerebrale.

Por ai nuk mundi t’i mbijetojë gjakrrjedhjes së madhe në tru, pavarësisht asistimit maksimal të mjekëve.

Pak ditë më parë, për situatën shëndetësore të tij foli bashkëshortja e tij, spikerja Tefta Radi, e cila kërkoi lutje nga të gjithë për shëndetin e burrit të saj.

Edhe nga Ministria e Shëndetësisë pati një reagim dhe angazhim të menjëhershëm, qoftë edhe për ta transportuar jashtë shtetit për një mjekim më të specializuar, por hemorragjia cerebrale nuk e lejonte kantautorin e njohur për të lëvizur.

JETA E TIJ

Françesk Radi ka qenë një nga këngëtarët dhe kantautorët më të njohur shqiptarë.

Ai ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve Tiranë. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor.

Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme.
Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta” dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht këto dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor. Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972.
Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasmë ‘o” etj., të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.
Kantautori Françesk Radi është një emër i cili tashmë e ka arritur suksesin e tij muzikor, duke sjellë këngë të cilat janë vlerësuar nga publiku.

Komento
Shperndaje