Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Muzaka mposht Tiranën edhe në CAS

Muzaka mposht Tiranën edhe në CAS
August 12
20:47 2017

Një borxh prej pothuajse 11 milionë lekësh të reja për Tiranën që mbetet në fuqi.

Klubi bardheblu humbet përfundimisht çështjen me Gjergji Muzakën që pasi fitoi në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve të drejtën për t’u paguar në shumën ekzakte prej 10. 697.000 lekësh për detyrimet e prapambetura nga ana e klubit shikon që i njëjti vendim të mbetet në fuqi edhe pas ankimimit të klubit bardheblu në Dhomën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

CAS, siç njihet shkalla më e lartë e drejtësisë sportive, në fakt nuk e ka marrë fare në shqyrtim çështjen duke njoftuar se procedura për çështjen Tirana kundër Gjergji Muzakës ka përfunduar dhe është fshirë nga lista e procedimeve të CAS, me Tiranën që veç të tjerash detyrohet t’i paguajë Gjergji Muzakës edhe 1000 franga zvicerane të shpenzuara për procedurat gjyqësore.

106 milionë lekë janë padyshim një barrë e konsiderueshme financiare për klubin që do të luajë për herë të parë në histori këtë sezon në Kategorinë e Parë, shkruan “Supersport”.

Borxhet e prapambetura kanë qenë problematika më e mprehtë që ka penalizuar jo pak klubin bardheblu të angazhuar në këto vitet e fundit për të shlyer detyrimet në mënyrë që të ketë mundësinë për të hapur një epokë të re. Merkatoja e kësaj vere pritet të sjellë një fond të konsiderueshëm për Tiranën me shitjen e Merveille prej së cilës do të arkëtohen 400 mijë euro ndërkohë që në klub nuk mungojnë edhe oferta të rëndësishme për lojtarë si Aquah, nga i cili Tirana synon të përfitojë edhe 200 mijë euro të tjera. /Blitz.al/

Shperndaje