Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Moti i keq me reshje të dendura, probleme në disa qytete, në porte paralizohet trafiku detar

Moti i keq me reshje të dendura, probleme në disa qytete, në porte paralizohet trafiku detar
November 04
12:00 2019

I gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq me reshje të dendura shiu nga veriu në jug, ndërsa uji ka vërshuar në rrugë duke shkaktuar probleme të shumta. Në Delvinë është shembur ura e fshatit Van duke bllokuar të gjithë banorët. Ujërat e lumit kanë gërryer bazamentin e urës ndërsa objekti qëndron në këmbë vetëm mbi disa inerte. Edhe pas apeleve të vazhdueshme që banorët bëjnë prej kohësh për nderhyrje në urë, institucionet nuk reaguan duke bërë që ajo sërish të pësojë shembje dhe të bëhet e pakalueshme. Në dhjetor të vitit 2017 kjo urë u shemb duke rrezikuar jetën e disa udhëtarëve, pasi një furgon mbeti mbi të.

Reshjet e dendura kanë shkaktuar probleme në Gjirokastër ku përroi i Çullos ka nxjerrë inerte në rrugë duke e bërë tepër të vështirë kalimin e mjeteve. Në Lazarat nga prurjet e shumta ka dalë nga shtrati përroi i Pllashnjës duke rrezikuar 55 familjet e lagjes Lenxat. Vështirësi është hasur edhe në përroin e Sopotit ku është ndërhyrë për mbajtjen nën kontroll nga prurjet dhe inertet.

Në Durrës janë përmbytur disa zona të qytetit, ndërsa disa rrugë u bënë të pakalueshme për automjetet dhe këmbësorët. Kapiteneria e Durrësit pezulloi lundrimin për peshkarexhat ndërsa vonesa pati edhe me nisjen e 2 trageteve nga Bari.

Në portin e Vlorës mbetet i paralizuar trafiku detar pasi ka patur ere të fortë dhe reshje të dendura shiu. Sipas kapitenerisë së portit të Vlorës, deti ka qënë me fuqi deri në 8 balle në det të hapur.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje të shumta në rrugët e qytetit të Kukësit. Uji ka vërshuar në rrugët e amortizuara për shkak të degradimit nga mungesa e investimeve.

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë natës dhe mëngjesin e sotëm probleme me qarkullimin ka pasur edhe në Tiranë, pasi është krijuar trafik. Por situata është qetësuar, pasi reshjet nuk kanë qenë intensive.

Ne Lezhe dhe Kurbin ka pasur reshje gjatë gjithë natës, por pa paraqitur probleme serioze. Në Fushë Mamurras ka probleme tek mbikalimi, pasi ka prezencë uji në rrugë. Në qytet nuk kanë pasur energji elektrike gjatë gjithë natës.

Share