Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mjekët në protestë të heshtur, kërkojnë lirimin e kolegëve: Do të kishim bërë të njëjtën gjë

Mjekët në protestë të heshtur, kërkojnë lirimin e kolegëve: Do të kishim bërë të njëjtën gjë
September 19
12:21 2016

Mjekët e maternitetit “Koço Gliozheni” kanë zhvilluar sot një protestë njëorëshe përpara godinës së spitalit, ku kanë kërkuar gjykimin në gjendje të lirë të dy kolegëve të tyre. Në deklaratën zyrtare të tyre, të shprehur nga njëri prej mjekëve, ata kanë shprehur indinjatën për akuzat kundër dy mjekëve të ndaluar, që po trajtohen si persona me precedentë penalë.

“Në emër të gjithë mjekëve, ne shprehim keqardhjen e thellë për ndodhinë. Teksa në realitet stafi ynë është mësuar të sjellë vetëm gëzime, tanimë ne shprehim keqardhjen dhe indinjatën për ndalimin e dy kolegëve tanë. Pavarësisht se drejtësia nuk e ka thënë ende vendimin zyrtar, duam që të sqarojmë opinionin publik. Theksojmë se do të kishim bërë të njëjtën gjë referuar protokollit. Bluzat e bardha të gjykohen në liri. Drejtësia të jetë objektive”, – citohet ndër të tjera në deklaratën e tyre.

Mjekët sqarojnë se është bërë gjithçka për të shpëtuar 35-vjeçaren dhe foshnjën e saj, por bëhet fjalë për një patologji mjaft të rrallë, ku probabiliteti i vdekshmërisë te nëna është 75%, ndërsa te foshnja mbi 90%.

Ditën e sotme, Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 45 ditë burg për mjekët Dritan Deçka dhe Helidon Klosi, në pritje të ekspertizës. /Blitz.al/

Etiketimet
Shperndaje