Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Milkani thumbon Fevziun: “Ju me telenovela turke diskutoni për filmat shqiptarë”

Milkani thumbon Fevziun: “Ju me telenovela turke diskutoni për filmat shqiptarë”
March 29
16:37 2017

Regjisori i njohur Piro Milkani ka replikuar me Blendi Fevziun dhe emisionin e tij, që një javë më parë trajtoi temën e ndalimit të filmave të prodhuar në kohën e komunizmit.

Milkani i kujton Fevziut historitë me të atin, ndërkohë që u jep nga një këshillë të gjithë të pranishmëve në atë emision, ndërkohë që ndalet veçanërisht te Fevziu, të cilit i flet për telenovelat turke që transmeton “Tv Klan”, jo filma shqiptarë.

SHKRIMI

“Nuk e di, a të ka thënë babai yt i mirë Hektor Bregasi, apo Torka, se si e ka kaluar fëmijërinë dhe rininë e tij në Korçë në shoqëri me Nesti Gurin, Piro Milkanin e shumë të tjerë?

E dinim që ishte i pafat. Që ishte “i deklasuar”, po kurrë nuk u ndamë prej tij.

Jeta na ndau. Nesti Guri u bë agronom i shkëlqyer dhe me meritë u bë hero i punës socialiste dhe deputet në Kuvendin Popullor, Piro studioi në një ndër shkollat më të mira të Europës, ndërsa Torka i mirë veç mësues i mirë fshati.

Po nuk e prishëm asnjëherë.

Se Torka i mençur e dinte se nuk kishim faj ne që nuk shkoi më lart.

Kur një mëngjes herët e pashë te Zogu i Zi, ndalova makinën dhe u çmallëm së bashku rrugës për në Dushk të Lushnjës, ku jepte mësim, ndërsa unë vazhdova deri në Sarandë për një xhirim filmi.

Në panelin e fundit e kuptova se ti u jepje fjalën më shumë atyre në krahun tënd të majtë me mendime të djathta.

Po ti e kishe një argument të fortë dhe nuk e përdore.

Ti mund t’u thoshe atyre se atë që ata kërkojnë, ti edhe Sandër Frangaj keni më shumë se dhjetë vjet që e bëni  me Televizionin Kombëtar Klan.

Po a ke parë ndonjë nga ne që të ankohet se pse nuk shfaqni një film shqiptar?

As keni për ta dëgjuar ndonjëherë. E drejta juaj.

Kur në vitin 2012, në postin e presidentit të Festivalit Ndërkombëtar të filmit në Aleksandri, i dorëzova producentit turk Ali Arsllan çmimin e madh për filmin më të mirë, u bëmë miq.

Arsllani më ka premtuar se një ditë do të vijë për vizitë në Shqipëri.

E nëse vjen, përveç të tjerash do ta fiksoj vetëm kanalin e “Tv Klan”.

E ai duke parë vetëm seriale turke kur të iki me siguri do të më thotë:

– Faleminderit shumë. E ndjeva veten si në Turqi!

Duke besuar se nuk do të më keqkuptosh, se jam shok i Torkës, dëgjoje këshillën time.

Ke përpara edhe shumë vjet që të shkruash e moderosh.

Sa më në qendër të qëndrosh, aq më i suksesshëm do të jesh. As majtas, as djathtas. Në s’të pëlqen këshilla ime, atëherë ndërroji titullin programit tënd. Nga “OPINION” quaje “OPINIONI IM”.

Dhe e fundit: ta mbyllim me kaq. Mjaft më me këto diskutime për filmat!

Koha do t’i seleksionojë vetë pa ndërhyrjen e askujt. E mira do mbetet, e keqja do harrohet.

Ah, se desh harrova!

Kur u ndërruan regjimet, babai yt, Torka, mori atë që i takonte, një detyrë të rëndësishme.

Por ai kurrë nuk i harroi shokët e tij të vjetër. Sidomos Nesti Gurin, heroin e punës socialiste, të cilin regjimi i ri e la pa punë…”, – shkruan Milkani.

Komento
Shperndaje