Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Meta firmos dekretin! Kush është ambasadori i ri i Turqisë, që zëvendëson Gazhelin

Meta firmos dekretin! Kush është ambasadori i ri i Turqisë, që zëvendëson Gazhelin
November 19
13:39 2019

 

Zyrtarisht Gent Gazheli nuk do të jetë më ambasador i Shqipërisë në Turqi. Presidenti Ilir Meta ka dekretuar lirimin nga detyra të Gazhelit. Në dekretin e Presidentit, thuhet se lirimi i tij nga detyra ka ardhur me propozim të kryeministrit Edi Rama.

Largimi nga detyra si ambasador i Gent Gazhelit është përfolur pak ditë më parë, ndërsa lidhjet me rastin e vogëlushit shqiptar, Alvin Berisha, që u shpëtua nga kampi i ferrit “Al Hol” në Siri falë ndërhyrjes së gazetarëve italianë të “Le Iene”. Menjëherë pas lirimit nga detyra të Gent Gazhelit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar ambasadorin e ri të Shqipërisë në Turqi, Kastriot Robo.

Emërimi i Rodos në këtë post është bërë me propozim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa në dekret sqarohet se ai do të jetë “dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën Islamike të Iranit, në Republikën e Kirgistanit, në Republikën Islamike të Pakistanit, në Republikën e Gjeorgjisë, në Republikën Islamike të Afganistanit dhe në Republikën e Kazakistanit, jorezident”.

D E K R E T

PËR EMËRIM AMBASADORI NË DETYRË

Në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh” dhe nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 26, të ligjit nr. 23/2015 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Kryeministrit,

D e k r e t o j:

Neni 1

Z. Kastriot Robo, emërohet ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë, rezident, si dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën Islamike të Iranit, në Republikën e Kirgistanit, në Republikën Islamike të Pakistanit, në Republikën e Gjeorgjisë, në Republikën Islamike të Afganistanit dhe në Republikën e Kazakistanit, jorezident.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 11357
Tiranë, më 19.11.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

Ilir Meta

Share