Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Merret në pyetje biznesmeni që denoncoi ryshfetin në emisionin investigativ, “arrest me burg” për oficerin e prokurorisë

Merret në pyetje biznesmeni që denoncoi ryshfetin në emisionin investigativ, “arrest me burg” për oficerin e prokurorisë
October 17
22:25 2016

Nga Anduena Llabani

Prokuroria për Krimet e Rënda ka marrë në pyetje për disa orë biznesmenin Gani Manollari, i cili denoncoi në një emision investigativ ryshfetin prej 18 mijë eurosh të marrë nga prokurori Ardian Braho, përmes oficerit të policisë gjyqësore. Mësohet se për biznesmenin ka nisur hetimi për korrupsion aktiv, pasi sipas ligjit, korrupsion bën jo vetëm ai që merr paratë, por edhe ai që i jep.

Gani Manollari dyshohet se i ka dhënë 18 mijë euro oficerit të policisë gjyqësore Fatos Lushi në këmbim të lirimit të një llogarie bankare të bllokuar prej 150 mijë eurosh. 41-vjeçari me pasaportë italiane është ndaluar një orë pas mesnatës së 16 tetorit (saktësisht ora 01:00 e 17 tetorit 2016)  në aeroportin “Nënë Tereza”.

Sipas policisë, Gani Manollari dyshohet se ka kryer aktin korruptiv me oficerin e policisë gjyqësore Fatos Lushi duke i dhënë këtij në formë ryshfeti një shumë prej 18 mijë eurosh.

Në fund të korrikut, llogaria bankare prej 150 mijë eurosh u lirua me urdhër të prokurorit Ardian Braho, i cili hetonte dosjen. Ky i fundit është pezulluar nga detyra, edhe pse ka mohuar të ketë lidhje me këtë çështje.  Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për oficerin të prokurorisë Fatos Lushi i shpallur në kërkim.

Bllokimi i 150 mijë eurove të biznesmenit Manollari ishte bërë me dy vendime gjykate, në Shkallën e Parë dhe atë të Apelit në Tiranë. Paratë kishin ardhur nga Monako dhe sipas vendimit të gjykatës transaksioni ishte i dyshimtë./Blitz.al/

Shperndaje