Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mentor Kikia: Gjesti vulgar kishte qëllim turpërimin e ministres Nikolla

Mentor Kikia: Gjesti vulgar kishte qëllim turpërimin e ministres Nikolla
November 23
10:01 2016

Salca e hedhur në kokën e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, ka shkaktuar një valë debatesh e qëndrimesh pro ose kundër ditët e fundit.

Analisti Mentor Kikia është rreshtuar në krahun e atyre që e kanë kritikuar aktin e kryer nga Mirela Ruko, duke e cilësuar atë si një akt që ka pasur si qëllim turpërimin publik të ministres Nikolla.

Por gjithashtu Kikia ka kritikuar nxjerrjen e notave të Mirelës, si një veprim kundërpërgjigjeje për të diskredituar atë.

Ky është statusi i plotë i Kikias në Facebook-un e tij personal:

 

“Meqë kjo punë u bë me tifozeri, më në fund edhe unë po them se nuk jam dakord me vajzën që i hodhi salcë ministres së Arsimit. Pra, unë nuk jam dakord me aktin, që më shumë se një protestë, mendoj se kishte si qëllim turpërimin e saj publik. Dhe këtu nuk vlejnë as mjeti e as qëllimi. Vetëm kaq ama. Por unë nuk jam dakord me tërë harbimin publik pas kësaj dhe padyshim s’jam dakord fare me publikimin e dëftesës dhe konkluzionin: Kjo vajza e ka dëftesën me 5-sa dhe 6-ta, ç’do kjo që proteston? Çfarë të drejte i shkelën kësaj? U bë kjo, nga Lushnja, të protestojë?
Pse, mos vallë ka kritere për t’u bërë protagonist në një protestë? Mos vallë duhet t’u kontrollojmë dëftesat njerëzve në një tubim, ku protestohet, p.sh., kundër korrupsionit? Mos vallë njerëzit duhet të protestojnë vetëm kur u preken interesat e veta personale?
Gjesti vulgar i kësaj vajze nxori në dritë vulgaritetin e një shoqërie të tërë, nga maja e politikës, media e deri poshtë në rrugë. Një shoqëri intrigante, mosbesuese, paragjykuese, cinike, ironike. Nuk ka lidhje me vajzën, ka lidhje me mentalitetin tonë. Rëndom dëgjojmë të thonë: Epo mirë na e bëjnë, këtu nuk ndihet njeri, nuk flet njeri. Nuk ka këtu ca njerëz që të bëhen bashkë kundër këtyre politikanëve të korruptuar? Por kur dikush “ndihet”, pra lëviz, në vend që t’i shkojmë pas, gjejmë bishta.
-Epo, kur u bë edhe ky. Kunata e tij ka punuar drejtoreshë shkolle dhe vidhte lekët e shkumësave.
-Aman, kur ngre zërin edhe ky, po kur ka qenë në ministri, mua më kanë thënë se ka dhënë një tender me lekë.
Një ditë, poshtë një komenti tim kishte shkruar dikush: Kur u bëre edhe ti të japësh mend, ti je me origjinë nga fshati.
-Shumë bindëse është arsyeja jote mor zotëri, po nuk gjete gjë tjetër për të më kundërshtuar? – i thashë.
Nuk ka njeri të cilit ne nuk i vëmë një bisht. Por në fakt harrojmë se janë të tjerë që na kanë vënë bishtin të tërëve si popull”,- përfundon statusi i tij. /Blitz.al/

 

Komento
Shperndaje