Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mediat e huaja: Majlinda Kelmendi – vajza e artë, fjalimi i saj frymëzues

August 08
10:19 2016

Jo vetëm mediat shqiptare, por e gjithë bota ka shkruar për fitoren e Majlinda Kelmendit mbrëmjen e djeshme në Lojërat Olimpike. Xhudistja Kelmendi i ka dhënë medaljen e parë të artë Kosovës dhe vlen të theksohet se kjo ishte hera e parë që Kosova merrte pjesë në këtë event. BBC e konsideron fitoren e Kelmendit historike për karrierën dhe e saj dhe për shtetin përfaqësues. ABC News ka përshkruar momentin kur Kelmendi arriti të mundte italianen në finale dhe emocionet kur ajo u ul në gjunjë, shpërtheu në lot dhe përqafoi përkrahësit që këndonin njëkohësisht “Kosova, Kosova”. Kelmendi  u ka dërguar një mesazh të gjithë të mbijetuarve të luftës duke u thënë se mund të arrijnë të bëjnë gjithçka duan në jetë.

“Unë gjithnjë kam kërkuar t’i tregoj botës se Kosova nuk është thjesht një shtet që ka përjetuar luftërat. Unë provova  se edhe pas gjithçkaje, ne i mbijetuam luftës. Nëse ata duan diçka, mund ta arrijnë”,- tha ajo.  Mediat e kanë konsideruar fjalimin e Majlindës si frymëzues për të rinjtë.

CNN shkruan se ajo ishte vajza “e artë” xhudiste, por tashmë e ka edhe një medalje të artë.

“Të jem e sinqertë, unë erdha këtu për medaljen e artë. Jam shumë e lumtur për veten, për ekipin dhe për vendin tim. Kjo është hera e parë që Kosova merr pjesë në Lojërat Olimpike dhe si një herë e parë, mendoj se medalja e artë është diçka shumë e madhe. Njerëzit, sidomos fëmijët në Kosovë, më shohin si heroinë. Por thjesht u provova se nëse duam diçka ne mund t’ia dalim”,- është shprehur xhudistja Kelmendi pas fitores./Blitz.al/

Shperndaje