Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Me shkresë zyrtare, bashkitë e djathta deklarojnë: “Nuk lejojmë zgjedhjet më 30 qershor!”

Me shkresë zyrtare, bashkitë e djathta deklarojnë: “Nuk lejojmë zgjedhjet më 30 qershor!”
June 25
16:02 2019

Ditën e sotme, nëpërmjet një shkresë zyrtare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është vënë në dijeni nga bashkitë e djathta se ato nuk do të lejojnë zhvillimin e zgjedhjeve. Për ta i vetmi vendim me fuqi ligjore, është dekreti i presidentit që ka shfuqizuar datën 30 qershor.

“Ju bëjmë me dije se ne jemi të vendosur qё të marrim nën administrim ambientet, ku janë vendosur KZAZ dhe GNV, pa asnjë tolerim, pavarësisht pengesave të paligjshme që na janë krijuar nga Policia e Shtetit në të shkuarën.”

Gjithashtu, kryebashkiakët, njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se “në datat 27 Qershor deri në 2 Korrik, ambientet që ishin vënë në dispozicion për zgjedhjet, përpara shfuqizimit të datës 30 qershor nga Presidenti, do të jenë në dispozicion të qytetarëve për aktivitete të ndryshme artistike, kulturore dhe letrare, që do të organizohen nga bshkitë apo për tubime të tjera”

“Këtë njoftim po e bëjmë për efekt të detyrimit që ju keni për të mos çuar dëm materialet zgjedhore, sepse zaptimi i ambienteve tona me material, që nuk janë të autorizuara nga ne të futen brenda, do të shkaktojë asgjesimin e tyre të menjëhershëm, në funksion të lirimit të ambienteve, për realizimin e aktiviteteve të qytetarëve”

Kryebashkiakët akuzojnë anëtaret e KQZ se po cënojnë rëndë autonominë vendore dhe kompetencat kushtetuese të njësive të qeverisjes vendore. “Ju mund të ndryshoni Kushtetutën me vendim Qeverie, por KQZ nuk është “superorgani” që drejton shtetin dhe as “treni që ndalon në stacionin e duhur” për të orientuar sjelljen institucionale të organeve kushtetuese.”- thuhet në shkresë.

Kryebashkiakët thonë hapur se duke mos zbatuar dekretin e Presidentit, gjë për të cilën do të mbajnë përgjegjësi personale, anëtarët e zgjedhur nga PS, e kanë shndërruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Komisionin e Garancive Statutore të Partisë Socialiste. “Në të ardhmen, ju lutem na kurseni kohën me shkresa e ultimatume të kota, sepse as nuk na impresiononi dhe as nuk e realizoni dot objektivin tuaj për të na intimiduar në ushtrimin me përgjegjshmëri të përgjegjësive tona kushtetuese e ligjore.”

Burimi: BalkanWeb

Komento
Shperndaje