Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Më fal që s’ta kam shprehur dashurinë sa duhet” – nëna i kërkon ndjesë vajzës së saj në prag martese

“Më fal që s’ta kam shprehur dashurinë sa duhet” – nëna i kërkon ndjesë vajzës së saj në prag martese
May 07
13:55 2017

Sanija ka ftuar vajzën e saj, Elsën, me dhëndrin, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E diela shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për t’u dhënë një mesazh dhe për t’u bërë gjithashtu një lojë. Po ajo nuk e di që edhe asaj do t’i bëhet një lojë nga dhëndri i saj, Miraldi.

Sanija rrëfen se është nga Tropoja dhe se bashkëshortin e saj, Elezin, e ka njohur në vitin 1976 në hidrocentralin e Fierzës, ku ai punonte si ekskavatorist, ndërsa Sanija si vinçiere, pra të dy me makineri të rënda. Ata u martuan dhe lindën dy djem, por kur djali i vogël pa filmin “Taulanti kërkon një motër” e kërkoi edhe ai një motër. Pas 3 vitesh do të lindte Elsa, e cila u bë një studente shumë e mirë.

Për sa i përket lidhjes së saj me Miraldin, Sanija e krahason situatën kur e mori vesh me komedinë “Pallati 176”, por më pas e kuptoi që ai ishte i duhuri për Elsën. Ajo mendon se të bijës i ka ngelur brengë nëse ajo është plotësisht dakord për martesën e tyre, që do të bëhet më 29 korrik, shkruan tvklan.al.

Elsa dhe Miraldi kanë pranuar ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” dhe vijnë në studion e “E diela shqiptare”. Të pyetur nga Arditi se kush mendojnë se ua ka bërë këtë surprizë, thonë se mendojnë se mund të jetë motra e Miraldit, babi ose mami i Elsës. Miraldi rrëfen se ai ka lënë gjithçka që kishte në Torino, duke përfshirë edhe familjen, për Elsën.

Kur shfaqet Sanija në ekranin e murit ndarës, Elsa shpreh emocione.

Elsa – Ah moj mami, çfarë më bëre!

Sanija – Elsa, ti e di që kur e kemi ndarë datën e martesës, mami ka fjetur shumë pak. Ti e di sa shumë të dua, s’ta kam shprehur, prandaj të kam thërritur këtu sot. Mos qaj se s’e kemi me të qarë. Unë nuk jam akoma e bindur që kjo dasmë të bëhet sivjet.

Arditi – Por ata kanë 6 vjet bashkë. Kur të bëhet dasma?

Sanija – Për 2 vite mirë është.  

Elsa – Nuk është e vështirë vetëm për atë. Është edhe për mua sepse jemi shumë të lidhura.

Miraldi thotë se ai jeton prej 4 vitesh vetëm në Tiranë, duke pritur se kur do të jetë gati Elsa dhe familja e saj për t’u martuar, por në qoftë se ata kanë nevojë për kohë ai do të presë.

Elsa – Mendoj që ka ardhur koha që edhe unë të shkëputem, por…

Sanija – Mami nuk ia prish gocës. Nuk dua ta torturoj më. Ishte një shaka.

Elsa, shpeshherë ti më shikon me dyshim që unë s’jam e bindur plotësisht për fejesën dhe martesën tuaj. Kam ardhur sot të të jap mesazhin që unë me zemër e me shpirt jam dakord që ju të kaloni një jetë të lumtur. Aldi është një djalë i mrekullueshëm, që kur e kam parë e kam ditur që ky do të jetë fati yt, sepse ju jeni lindur për njëri-tjetrin. Mami të do shumë, kam bërë gabime, të kam cënuar lirinë. Të kërkoj ndjesë që nuk ta kam shprehur kurrë dashurinë dhe se je e bukur, vetëm nga frika se mos gabon.

Elsa – E ke shprehur mami, jo me fjalë, por me vepra. Jam me fat që të kam.

Miraldi – Më fal, të them diçka. Doja ta lija surprizë për pak më vonë, por meqenëse ra muhabeti dhe është vendi i duhur, po ta them që tani. Unë këto ditë kam shitur shtëpinë dhe kam gjetur akomodim në Belgjikë. Domethënë, ne pas martesës do ikim për të jetuar përgjithmonë atje.

Sanija – Zoti jua priftë mbarë kudo që të shkoni, vetëm të jeni të lumtur!  E kam të dhimbshme, e kam të vështirë, por lumturinë tuaj s’do e prish kurrë.

Miraldi – Faleminderit! Do të ikim më 1 gusht e nuk do të kthehemi më.

Sanija – Çfarë të bëjmë, unë i kam marrë dy nuse, më takon të jap një vajzë.

Miraldi – Në fakt, ishte një shaka, për atë shakanë e shtyrjes së dasmës.

Sanija – E di unë atë, bëj pjesë në ato burrnesha që nuk e hanë presionin.

Sania përqafohet me të bijën dhe dhëndrin, duke na treguar kështu dashurinë e madhe të nënës për të bijën, si dhe dashurinë e pakushtëzuar të një mashkulli për femrën e tij, i cili heq dorë nga gjithçka për të.

Shperndaje