Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Mbyllja e emisionit, reagon Veliaj: Histori e shpikur në seli partie. Na lini të punojmë!

Mbyllja e emisionit, reagon Veliaj: Histori e shpikur në seli partie. Na lini të punojmë!
October 11
18:52 2016

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas akuzave se urdhëroi mbylljen e emisionit “Publicus”, që po hidhte dritë mbi vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, i cili u gjet i vdekur në landfillin e Sharrës.

Ai shprehet se për shkak të punëve që ka Tirana, nuk ka kohë të merret me historitë e shpikura nëpër dhoma montazhi e seli partie. Kryetari i bashkisë thekson se nuk e di për çfarë emisioni bëhet fjalë dhe nuk i njeh as gazetarët.

Më tej, Veliaj thekson se do të nisë të shqetësohet kur opozita me mediat që e përkrahin të mos e sulmojnë më dhe kërkon që ta lënë të punojë.

Reagimi i plotë i Erion Veliajt

Jam informuar dje nga një deklaratë e Partisë Demokratike dhe mediat e koordinuara prej saj me akuzat e radhës – tanimë thuajse të përditshme – kësaj here për një emision të patransmetuar në Vizion Plus.

Me një mori punësh që ka Tirana, as nuk kam kohë e as interes të merrem me çdo histori që shpiken në dhoma montazhi, seli partie e duzinë portalesh pranë tyre.

As nuk e kam parë emisionin, as nuk i njoh gazetarët e as kam kontaktuar KURRË me Vizion Plus. Sfidoj këdo që bën gazetari të mirëfilltë të provojë të kundërtën. Por kushdo që më njeh, e di se sa i fokusuar jam në punët e Tiranës e sa nuk harxhoj kohë fare me litaninë e përditshme të PD-së e mercenarëve të saj, sepse besoj se qyteti ndërtohet me punë, jo me helm!

Sigurisht që për PD-në e shpurën e saj, humbja e Tiranës – pa lënë asnjë gjurmë gjatë qeverisjes – është një parathënie e humbjes së 3-të radhazi pas pak muajsh. Është e qartë si drita e diellit se për një parti si PD, që fjeti 4 vjet, Tirana në punë është një makth nga i cili s’po di si të zgjohet. Por ky nuk është problemi im e i Tiranës, njerëzit duan punë konkrete e jo baltovinë konstante.

Në 1 vit, Tirana ka hapur 100 kantiere pune, ka më shumë rrugë, shkolla, kopshte, çerdhe e kënde lojërash. Ka sot një jetë artistike, kulturore e turizëm të paprecedentë. Ka një bashki me 3 turne në punë dhe një qytet më të pastër, më të ndriçuar e më të gjelbër. Sado të përpiqen me histeri e kujë nuk i bindin dot 1 milion dëshmitarë të këtij ndryshimi frymëzues për qytetin e me jehonë në gjithë rajonin.

Unë do të shqetësohem realisht kur të vijë dita që PD e portalet e saj të mos sulmojnë, aty do të kuptoj se s’kemi punuar mjaftueshëm atë ditë e që duhet të përpiqem më shumë. Por për sa kohë batareja e ligësisë nuk ndalet, atëherë jemi në rrugë të mbarë!

Tani, ju lutem, na lini të punojmë, ndërsa ju vazhdoni avazin tuaj të shpifjeve dhe sulmeve si çdo ditë këta 13 muaj. Me shpresë, tek e treta e vërteta – pra, te humbja e ardhshme – do të kuptoni se kjo kulturë e shëmtuar nuk solli dobi as për ju, se për vendin jo e jo. Puna, or miq, ju nxjerr në dritë, jo çezma e helmit, sajesave e trillimeve! Ju vazhdoni me stërkëmbëshat, por jua them fort e qartë: TIRANA NUK NDALET!

Më e mira është përpara dhe do ta arrijmë me 1 milion zemra të tjera me punë të palodhur, optimizëm kronik e fokus te qyteti!

Komento
Etiketimet
Shperndaje