Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Matura/ Ministria penalizon 11 maturantë, përdorën celularët!

Matura/ Ministria penalizon 11 maturantë, përdorën celularët!
June 14
15:49 2018

 

Pas provimit të maturës për lëndën e matematikës, Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka ndëshkuar 11 maturantë në Tiranë, Kukës, Gjirokastër dhe Kurbin.

Sipas MAS, nxënësit janë kapur duke përdorur telefonin cellular gjatë kohës së provimit dhe për këtë do të merren masa.

Të 11 maturantëve nuk do t’u njihen rezultatet e provimit dhe janë të detyruar ta përsërisin në vjeshtë.

Sakaq, për drejtorin e shkollës “Said Najdeni”, Shefki Çorja është kërkuar zgjidhja e menjëherëshme e kontratës dhe gjithashtu, penalitete do të ketë edhe për 5 administratorët të cilët nuk konstatuan rastet e përdorimit të celularëve.

NJOFTIM PËR MEDIAT
Tiranë, më 14.06.2018
Komiteti i Maturës Shtetërore 2018, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Urdhrin e MASR, nr 593, datë 23.11.2017 “Për ngritjen e Komitetit të Maturës Shtetërore 2018”, me qëllim vlerësimin e zbatueshmërisë së akteve nënligjore të procesit të Maturës Shtetërore 2018, për provimin e detyruar të Matematikës, sesioni i parë, i zhvilluar më datë 13 Qershor 2018, mori në shqyrtim raportet e monitorimit të përfaqësuesve të autorizuar të MASR në këtë provim.
Në përfundim të shqyrtimit të këtyre raporteve, Komiteti i Maturës Shtetërore 2018, konstaton se:
Nga procesi i monitorimit gjatë zhvillimit të testimit, ka rezultuar se 11 nxënës maturantë, kanë qenë të pajisur me aparate telefoni celular, përkatësisht në:
DAR Gjirokastër: 1 nxënës.
DAR Kukës: 6 nxënës.
DAR Tiranë: 2 nxënës.
ZA Kurbin: 2 nxënës.
Nga shqyrtimi i rasteve të mësipërme, rezultoi se 5 administratorë nuk identifikuan maturantët me celularë të cilët, u identifikuan nga monitoruesit e MASR. Në qendrën e provimit, Filiali i Universitetit Dibër, drejtori i gjimnazit “Said Najdeni” z. Shefki Çorja, me veprimet dhe mos veprimet e tij dhe në shkelje të etikës, me detyrat dhe përgjegjësitë e drejtorit të institucionit, ka penguar krijimin e kushteve normale për zhvillimin e provimit në këtë qendër.

Për sa më sipër, Komiteti i Maturës Shtetërore mbështetur në nenin Nr. 25, pika 1 shkronja d, e “Rregullore për zhvillimin e Maturës Shtetërore 2018 në Republikën e Shqipërisë”, vendosi përjashtimin dhe mosnjohjen e rezultatit për 11 nxënësit maturantë që u konstatuan me aparate celularë në mjediset e provimeve. Ndërsa për sa i përket shkeljeve të konstatuara të drejtorit të shkollës z.Çorja, Komiteti i Maturës Shtetërore mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore, vendosi t’i kërkojë Drejtorisë Arsimore Rajonale Dibër, zgjidhjen e menjëhershme të kontratës. Për 5 administratorët që kanë shkelur rregulloren e Maturës Shtetërore do të merren masa disiplinore deri në largim nga puna.

/Blitz.al/

Komento
Shperndaje