Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Maqedoni, dorëzohet Ivanov, i jep Zaevit mandatin për krijimin e qeverisë

Maqedoni, dorëzohet Ivanov, i jep Zaevit mandatin për krijimin e qeverisë
May 17
11:44 2017

U deshën disa javë me radhë, protesta dhe madje përleshje në Parlamentin e Maqedonisë nga huliganët ekstremistë, që presidenti maqedonas George Ivanov t’i dorëzonte më në fund mandatin për të qeverisur kreut të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev.
Mediat në Shkup njoftojnë se Zaev ka shkuar në Presidencë, ku ka marrë mandatin e formimit të qeverisë bashkë me partnerët shqiptarë, me të cilët do të bashkëqeverisë.

Kjo lëvizje e Ivanov vjen pas një presioni të fortë dhe të gjatë të ndërkombëtarëve dhe pasi shumica e re zgjodhi kryeparlamentarin Talat Xhaferri, i cili e kishte njoftuar Ivanovin se ngërçin do e zgjidhte Parlamenti, nëse ai nuk mandatonte Zaevin.

Më parë, Ivanov kishte kërkuar garanci për ruajtjen e shtetit dhe respektimin e kushtetutës, ndërsa ka kundërshtuar gjatë bashkë me Gruevskin platformën e shqiptarëve.  

Zaev, garancitë të cilat i dorëzoi me shkrim te presidenti Ivanov, i bëri të njohura edhe për publikun.

“Edhe njëherë dua të konstatoj para mbarë opinionit se pengesat për ndarjen e mandatit janë mënjanuar. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, e ka dorëzuar letrën ndërkohë që unë, ashtu siç kam premtuar para qytetarëve dhe para presidentit Gjorge Ivanov, kam dorëzuar një deklaratë në formë të garancive të cilat sot do t’i ndaj edhe bashkë me qytetarët e Republikës së Maqedonisë, njëlloj siç është dorëzuar në kabinetin e presidentit”,- është shprehur Zaev.

Në qeveri me Zaev do të jenë disa prej partive shqiptare, me të cilat ai do të bashkëqeverisë, në shkëmbim të realizimit të disa prej kushteve themelore të respektimit të të drejtave të shqiptarëve, gjuha e të cilëve do të jetë zyrtare në Parlamentin maqedonas që tani e tutje. Gjithashtu shqiptarëve do t’u sigurohen një sërë të drejtash themelore, me ligjet e reja që Parlamenti pritet të miratojë pas formimit të qeverisë së re. /Blitz.al/

Share