Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Listat e PD-së, reagimet e 4 figurave brenda e jashtë politikës që “shkundin” demokratët

Listat e PD-së, reagimet e 4 figurave brenda e jashtë politikës që “shkundin” demokratët
May 27
15:53 2017

Listat e Partisë Demokratike për zgjedhjet e 25 qershorit janë komentuar nga dhjetëra qytetarë ditën e sotme, mes të cilëve ka edhe analistë, politikanë të majtë e të djathtë apo intelektualë të tjerë jo të përfshirë në politikë.

Disa prej këtyre reagimeve kanë tërhequr më tepër vëmendjen në rrjete sociale për nga forca e reagimit.

Mes tyre janë edhe analisti Andi Bejtja, i cili e cilëson listën e Bashës si një dorë hakmarrëse.

Deputeti socialist Alfred Peza, i cili nuk u përfshi në lista nga kreu i PS-së Edi Rama, i referohet në reagimin e tij mungesës së deputetit demokrat Astrit Patozi.

Shkrimtarja Flutura Açka flet për mungesën e Jozefina Topallit, ndërkohë që analisti Lutfi Dervishi ironizon me këtë listë pasi i referohet deputetit Patozi.

Ja reagimet e tyre përkatëse:

 

ANDI BEJTJA

Teksa shikoj listën e deputetëve të PD-së që do të përballen më 25 qershor më vjen vetvetiu në mendje viti 2005 kur ish-lideri i PD-së Berisha u kujdes të bënte një listë sa më gjithëpërfshirëse. Madje shkoi aq larg sa përfshiu në lista edhe të ashtuquajturit armiq të tij, deri edhe ata që kishin hipur në tanke në 1997-s. Ishte një listë fitoreje. Sot kemi një listë ku është e pamundur të dallohen kriteret, ku shikohet që lëviz dora hakmarrëse e një Konti Monte Kristoje, e një konti që hakmerret pa arsye, sepse askush nuk i ka bërë asgjë në të kaluarën, as e ka futur në burg as i ka marrë të dashurën. Boh, e pakuptueshme, por kjo nuk është një listë fitoreje…

Dikush më tha sot në mëngjes se lista është bërë duke pasur parasysh se po bëhet gati të jetë pas zgjedhjeve në një ndërmarrje të përbashkët me liderin e PS-së. Dikush tjetër me të drejtë më tha: Në çdo ndërmarrje të përbashkët do hysh me aksionet e tua, sa më të larta t’i kesh, aq më mirë.

Kjo listë jo vetëm që e lë Ramën King, i shton edhe një Maker. Sot ai është dhe King dhe King-Maker. Demokratë, mos kujtoni se Big Mak-un do e hani përgjysmë, edhe pse mund të uleni në një tavolinë.

 

ALFRED PEZA

Shkëlqen me mungesën në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së Astrit Patozi. Një model urtësie e modestie, që arriti gjatë këtij mandati, me anë të fjalimeve të tij, të ngjitej në lartësinë e një zëri unik opozitar, që do të na mungojë. Parlamenti i ri është që sot pak më i varfër. E sigurt se në atë sallë nuk do të mungojnë sharjet, dhuna verbale e fizike, fyerjet, fjalimet pa bukë dhe orët e çuara dëm nga anonimë që do lexojnë gjëra që as vetë nuk i kanë kuptuar ndonjëherë. Por në shtator e tutje, në krahun e djathtë kur je përballë asaj salle, do të ketë më pak racionalitet, kthjelltësi dhe art të fjalës politike. Ndërsa ata që e kanë pritur largimin e tij, ndoshta sot brenda SHQUP-it kanë filluar të këndojnë me vargjet e një poezie të vjetër, që ai vetë ma ka recituar në një kontekst krejt tjetër, dikur:
Që pa gdhirë u ngrit sot fshati/
sa të madh kemi gëzimnë/
është larguar sot Astriti/
të këndojmë për Lulezimnë…

 

FLUTURA AÇKA

As nxjemje nuk bëhet me këtë listë…

Unë nuk i di problemet e partisë, por di se Jozefina Topalli ka qenë një opozitare e vërtetë, ndër të paktat që bënte opozitë në këto katër vite, kur të tjerët flinin. Ndër të paktat që ia ndryshoi hijen e rëndë asaj godine me sharmin e saj. E para që mundi të thyejë protokollet e ftohta dhe e hapi derën për artistë, mjekë, shkencëtarë. E vetmja që nuk u përfol në popull si “xhepiste” e shtetit në pozicionin e saj.
Unë nuk di kush do të bëjë opozitë, se të bërit opozitë do edhe sharm, edhe mend, edhe ndershmëri, veç në paçi vendosur të bashkëqeverisni me bijtë e atyre që pagëzuan komunizmin, pa kërkuar ndjesë kurrë.
Keqardhje, PD nuk ka nevojë për nxemje për në pushtet, por të marrë pushtet!

 

LUTFI DERVISHI

“Një njeri i korruptuar, një njeri që nuk di të lidhë dy fjalë me shkrim dhe me gojë, një njeri që ka qenë ministër dhe që ka abuzuar me postin, nuk e meritonte të ishte në listën e PD-së. Besoj e kuptoni që e kam fjalën për… Astrit Patozin”,- shkruan analisti Dervishi.

Shperndaje