Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Listat e kandidatëve – Kolegji Zgjedhor shtyn shqyrtimin, do të pyesë edhe partitë e tjera, pranon tërheqjen e PAA-së nga ankimimi

Listat e kandidatëve – Kolegji Zgjedhor shtyn shqyrtimin, do të pyesë edhe partitë e tjera, pranon tërheqjen e PAA-së nga ankimimi
May 18
12:56 2017

Nga Anduena Llabani

 

Kolegji Zgjedhor shtyn për në datën 22 maj seancën për shqyrtimin e ankimimit të PAP, Partia Aleanca Popullore, e cila kërkoi të shpallen të pavlefshme listat e kandidatëve për deputetë të regjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit.

Në këtë seancë, Kolegji Zgjedhor vendosi të thërrasë 15 partitë që janë regjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit.

Para se të niste seanca gjyqësore, kreu i Partisë Aleanca Popullore tha se nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga padia.

Artur Dojaka tha:

“Do të vazhdojmë pranë Kolegjit Zgjedhor me ankimim, që nuk është asgjë tjetër përveçse ankimim në mbështetje të ligjit dhe shtetit ligjor. Nuk mund të lë pa përshëndetur marrëveshjen e mbrëmshme mes kreut të PS-së dhe atij të PD-së, gjë që i hap rrugë gjithë procesit. Por në fund të fundit, ne pas 27 viteve tranzicion duhet të kuptojmë se procesi nuk është thjesht marrëveshje e disave në veçanti, por është një proces ligjor. Procesi ligjor mund të quhet i tillë vetëm në momentin që vendosin gjykatat dhe e tillë është edhe dita e sotme në Kolegjin Zgjedhor ku ne presim vendimin.

Listat u dorëzuan jashtë afateve – Është shumë i qartë, është thjesht një llogari matematike, mund t’ju citoj dhe shkeljen ligjore që ka ndodhur, është Neni 67 i Kodit Zgjedhor që parashikon specifikisht këtë: Partia politike që është regjistruar si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend depoziton pranë Komisionit të Zgjedhjeve listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve. Kjo tashmë është thjesht një aritmetikë e thjeshtë që do të interpretohet në Kolegjin Zgjedhor, jo më kot unë po shkoj vetë tani ta mbroj këtë çështje personalisht, paçka se nuk jam jurist, jam ekonomist. Duke pasur edhe një lajm të mirë që vjen nga orët e para të mëngjesit se dy partitë kryesore kanë vendosur t’i hapin rrugë procesit zgjedhor, ky është lajm i mirë për të gjithë dhe le ta mbyllim ashtu si i takon Shqipërisë moderne të 2017 –s që gjithçka të zgjidhet përmes një procesi ligjor.

Ankimimi mbështet marrëveshjen – Nuk ka asnjë lloj synimi për sfumim të marrëveshjes dhe as arsye tjetër. Jemi në vazhdim të asaj që kemi ankimuar dhe nuk shohim asnjë arsye pse ne të tërhiqemi nga vazhdimi i ankimimit. Jemi forcë politike e përgjegjshme. Në mbështetje të marrëveshjes, ne po i japim hapësirën që për ne është rruga e vetme që mund t’i mundësojë gjithë forcave politike me një proces ligjor të certifikuar tashmë përmes procesit të Kolegjit Zgjedhor të marrin pjesë në zgjedhje. E shoh si mbështetje të marrëveshjes së arritur.

Disa orë më vonë, kolegji zgjedhor është mbledhur për të shqyrtuar një tjetër padi, atë të Agron Dukës.

Më herët përfaqësues të PAA-së patën njoftuar tërheqjen e antikimit.

Kolegji Zgjedhor ka pranuar kërkesën e Partisë Agrare Ambientaliste për tërheqjen e ankimimit për shpalljen e pavlefshme të listës shumemërore të kandidatëve për deputetë.

Thoma Miço, nënkryetar i kësaj partie, tha: “U gjykua dhe pranua kërkesa jonë paraprake për pushimin e kësaj çështjeje për arsye që u komentua dhe atje. Pas arritjes së marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës dhe ajo çka është më e rëndësishmja ku afati 18 qershor në marrëveshjen e tyre nuk do të jetë si datë e mundshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por do të jetë një datë tjetër. Do të riciklohen afatet e depozitimit dhe regjistrimit të partive, listat shumemërore, në këtë kuptim nuk përbënte sens që të vazhdonim gjykimin në Kolegjin Zgjedhor. Bëmë kërkesën që gjeti miratimin dhe i hapi rrugën marrëveshjes të vazhdojë të implementohet dhe përfundojë sot me gjithë hollësitë e veta në mënyrë që të gjithë partitë të marrin pjesë në zgjedhje”.

Miço tha se datat më të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve janë 16-23 korriku.

Diskutohen datat që kanë të bëjnë me mosprekjen e Kushtetutës, që janë datat brenda korrikut. Më të mundshme shoh 16 dhe 23 korrikun. Për PAA-në një nga këto data do jetë e pranueshme nga ana jonë, nuk e kontestojmë”,- përfundoi ai.

Nënkryetari ishte i qartë kur i parapriu ndonjë surprize të mundshme.

“PAA do bëhet pishman vetëm atëherë kur fajin për mosarritjen e marrëveshjes do ta ketë partia më e madhe e opozitës. Kemi bërë të qartë qëndrimin tonë. Nëse për këto zgjedhje nuk arrihet marrëveshje dhe për këtë shkaktare do të jetë PD, ne do të futemi pa PD-në në zgjedhje”,- përfundoi ai.   /Blitz.al/

Shperndaje