Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Lila dhe Balaj për përballjen me Rumaninë: S’dorëzohemi, duam të qëndrojmë

Lila dhe Balaj për përballjen me Rumaninë: S’dorëzohemi, duam të qëndrojmë
June 18
14:59 2016

Në konferencën e radhës për shtyp, dy lojtarët e Kombëtares Shqiptare, Andi Lila dhe Bekim Balaj, kanë shprehur mendimet lidhur me vendimet e trajnerit dhe për ndeshjen e së dielës, ku kuqezinjtë do përballen me Kombëtaren rumune.

Në fjalën e tij, Lila u shpreh se emocionet në përballjen me Francën ishin të mëdha. Pavarësisht se nuk është arritur asnjë fitore ndaj Rumanisë, Lila beson se kuqezinjtë i kanë mundësitë të arrijnë më shumë në ndeshjen e së dielës.

“Edhe pse u zëvendësova në ndeshjen me Francën, nuk dua ta komentoj këtë moment. Ishte një zgjidhje taktike e trajnerit. Jo vetëm unë por askush nuk ka të drejtë të komentojë vendimet e tij. Unë jam gati, t’i shërbej skuadrës, kurdoherë duke dhënë maksimumin në fushën e lojës, sa herë që skuadra të ketë nevojë”- theksoi mes të tjerave futbollisti Andi Lila.

Nga ana tjetër, Bekim Balaj, shprehu dëshirën që të jetë pjesë e formacionit të së dielës. “Shpresoj se dhe unë do të kem mundësinë të provoj të luajë ndonjë minutë. Por edhe nëse nuk ndodh kjo, nuk do jem aspak i zhgënjyer. Pasi nuk mund të flitet për zhgënjim kur je pjesë e skuadrës kombëtare në Kampionatin Europian.”, tha ai.

Të dy lojtarët thanë se pavarësisht të qenit të pafat në dy ndeshjet e para, Kombëtarja nuk dorëzohet.

Etiketimet
Shperndaje