Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ligji për Vetingun, rebelohen avokatët: Gjyqtarët e korruptuar po zhvasin qytetarët në konflikt me ligjin

Ligji për Vetingun, rebelohen avokatët: Gjyqtarët e korruptuar po zhvasin qytetarët në konflikt me ligjin
September 23
16:03 2016

Nga Anduena Llabani

Në një intervistë për Blitz.al, avokati Sajmir Visha jep alarmin se në sallat e gjyqeve nuk po jepet më drejtësi. Në emër të ligjit, sipas tij, po bëhet korrupsion. Sipas tij reforma në sistemin tonë nuk duhej të niste me Vetingun e 2016-s, duhej të kishte nisur kohë më parë. Visha thotë se ka vendime skandaloze të gjyqtarëve që duhen riparë në vite, jo nga koha kur ligji hyn në fuqi.

Ai përmend mbi 120 vendime që shtetas shqiptarë i kanë fituar në gjykatën e Strasburgut e ndaj gjyqtarëve që dhanë këto vendime nuk është marrë asnjë masë. Në emër të Shoqatës së Avokatëve Penalistë deklaron se në emër të drejtësisë po zhvaten para nga qytetarët.

Të gjithë ata gjyqtarë që priten të dorëhiqen nga hyrja në fuqi e ligjit të ri për Vetingun nuk do të kenë të drejtën të ushtrojnë profesionin e avokatit, duke u përjashtuar nga i gjithë sistemi. Vendimi, sipas Vishës, është marrë në mbledhjen e fundit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Visha thotë së në gjykata është krijuar një amulli e plotë, ku të gjithë gjyqtarët ndodhen nën trysninë e ligjit. Duke mos pasur dispozita kalimtare, i ka favorizuar këta të fundit të fitojnë para deri në çastet e fundit të ushtrimit të detyrës. Pas miratimit në kuvend, ligji për Vetingun pritet të zbardhet në fletoren zyrtare dhe pas 15 ditësh të hyjë në fuqi./Blitz.al/

Shperndaje