Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

LGBTI, thirrje qytetarëve: “Mos i votoni këta 4 kandidatë për deputetë! Janë homofobë”

LGBTI, thirrje qytetarëve: “Mos i votoni këta 4 kandidatë për deputetë! Janë homofobë”
June 13
18:09 2017

Organizatat e mbrojtjes së të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri kanë ndërmarrë një nismë të përbashkët.

Tashmë që vendi ndodhet në fushatë elektorale në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit, ato kanë ngritur zërin pasi mendojnë se 2-12% e popullsisë i përket këtij komuniteti, çka llogaritet në një mesatare prej 110.000 personash.

Ata bëjnë thirrje për të mos votuar 4 kandidatë për deputetë, të cilët janë kundër njerëzve me preferenca seksuale të ndryshme nga shumica.

 

Njoftimi i LGBTI

Gjatë monitorimit të medias në kuadër të kësaj nisme janë identifikuar disa prej politikanëve që kanë mbajtur publikisht qëndrime homofobike ndaj komunitetit LGBTI. Publikimi i këtyre deklaratave bëhet me qëllim që t’u kujtojmë politikanëve se nuk janë zgjedhur për të shpërndarë urrejtje e për të diskriminuar, por për të përfaqësuar denjësisht votuesit e tyre, pjesë e të cilëve janë edhe personat LGBTI.

Kryetari i Partisë Demokristiane Nard Ndoka, ish-ministër i Shëndetësisë, e konsideron ende homoseksualitetin si një sëmundje dhe devijancë, duke thënë se Parlamenti shqiptar “nuk është imun nga të tilla devijanca”. Nuk kanë munguar as fyerjet nga personazhe të politikës shqiptare si “kaubojsi” Eduart Ndocaj, deputet dhe kryetar i PBDKSH. Gjatë një interviste në emisionin “Të paekspozuarit”, ai shpreh me krenari qëndrimin e tij si demokristian kundër komunitetit LGBTI duke vazhduar më tej me një fyerje të qartë, ku krahason LGBTI me një targë makine.

Mesila Doda, deputete e PDIU-së, është shprehur gjatë një debati në emisionin “Opinion” të datës 18 maj 2017, se një ndër kauzat kryesore që partia e saj ka mbajtur në këtë 4-vjeçar ishte moslejimi i martesave brenda të njëjtës gjini.

Tritan Shehu, drejtues i Departamentit të Shëndetësisë në Partinë Demokratike, mendon se hapja e rrugës për bashkëjetesat mes personave të së njëjtës gjini do të shkatërrojë të ardhmen e fëmijëve, familjen dhe traditën e saj dhe të njerëzimit.

Shperndaje