Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Lëvizjet në Polici, ndryshojnë krerët e Komisariateve

Lëvizjet në Polici, ndryshojnë krerët e Komisariateve
October 15
14:41 2019

Një erë e re ndryshimesh përfshin komisariatet e policisë në zonën e juglindjes me zëvendësimin e titullarëve të tyre. Ikin nga detyra shefat e komisariateve në Kolonjë e Maliq dhe në vend të tyre emërohen të tjerë oficerë policie.

Në komisariatin e rrethit të Kolonjës është caktuar si drejtues Ramiz Hymeti. Ai mbante deri tani në detyrë titullari në drejtimin e sektorit të rendit në Drejtorinë vendore të policisë rajonale.

Ramiz Hymeti zëvendësoi në krye të komisariatit të Kolonjës kolegun e tij Erion Bicaj i cili mbetet në dispozicion të Ministrisë të Brendshme.

Lëvizjet në titullarë lokalë të policisë kanë prekur edhe komisariatin e Maliqit.

Këtu është larguar Gentjan Diko që emërohet në një detyrë më të lartë si shef i krimit të organizuar në Drejtorinë e policisë Korçë. Në vend të tij është emëruar shef komisariati në Maliq, Besnik Çevani.

Ndryshimet në kupolën e komisariateve të policisë në Qarkun Korçë ishin paralajmëruar që disa kohë më parë me largimin e Ardian Fezollarit nga funksioni I kreut të policisë në Devoll.

Tashmë rokadat mes oficerëve të policisë kanë përfshirë të gjithë komisariatet e zonës juglindore, me përjashtim të rrethit të Korçës.

Lëvizjet e bëra në policinë e shtetit kanë sjellë edhe ndryshimin e krerëve të komisariateve të Fierit e Mallakastrës.

Në këtë kuadër, Kryekomisar Ledio Ibrahimi që mbante detyrën e Shefit të Komisariatit Mallakastër, u emërua Shef Komisariati në Fier, pas largimit rreth dy javë më parë të Henerigert Mitri, I cili u vendos drejtori i policisë së Lezhës.

Ndërkohë, Komisar Alfred Thaci i cili më parë mbante detyrën e Shefit të Hetimit të Aksidenteve në Komisariatin Rajonal Tiranë është emëruar Shef i Komisariatit Mallakastër.

Share