Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Letra prekëse e mësueses për 13-vjeçarin që humbi jetën pak ditë më parë

Letra prekëse e mësueses për 13-vjeçarin që humbi jetën pak ditë më parë
September 07
13:43 2016

Një ngjarje e rëndë tronditi kryeqytetin mbrëmjen e së dielës, kur një 13-vjeçar ra nga ballkoni i apartamentit ku jetonte dhe  humbi jetën.

Bëhet fjalë për Jusif Hussin, djaloshi me origjinë nga Egjipti, i cili humbi jetën pasi ra nga kati i 9-të i pallatit në zonën e quajtur ish-fusha e aviacionit. Familja Hussin jetonte prej vitesh në Shqipëri  dhe i ati i Jusif-it është mësues i gjuhës arabe. Një prej mësueseve në shkollën ku viktima mësonte i ka dedikuar atij një letër prekëse, duke treguar dhimbjen e thellë që ajo dhe njerëzit përreth kanë përjetuar nga humbja e tij. Ashtu siç ajo rrëfen, Jo Jo, siç i flisnin shkurt vogëlushit, ishte një djalosh i ëmbël, të cilit ajo më parë i fshinte lotët në faqe, ndërsa sot janë lotët e saj që nuk po rreshtin së pikuari.

Kjo mësuese u ka bërë thirrje të gjitha firmave ndërtuese që të kenë kujdes dhe përgjegjësi në ndërtimin e fadromave për të parandaluar fatkeqësi të tjera fatale, si kjo e Jusif-it.

Letra:

Ti ishe i brishtë, i ëmbël, ende i parritur, i vogli Jo Jo

Sa herë fshija lotët e tu, sot janë lotët e mi që nuk rreshtin për ty.

Ke qenë nxënësi im, por jo në kuptimin universal të kësaj fjale. Nxënësi mëson te ty. Ai është mik, shok, ai pret nga sytë e tu. E ti s’mundesh kurrë t’i zhgënjesh ata sy. Sepse në sytë e tyre ti je e madhe në të gjitha dimensionet e kësaj fjale. Ata rriten me imazhin e një mësuesi në sy e nuk të harrojnë kurrë. E sot unë jam ajo që kujtoj detaje nga ti. A ka lot që i fshin ato kujtime, kur ti vije dhe më kërkojë mbështetje dhe vëmendje?!

Ishe vetëm 13 vjeç dhe udhëtove pranë Zotit tënd Mëshirues e të Gjithëmëshirshëm.

S’është sot koha për të menduar se masat e sigurisë së ndërtimit të rrezikuan dhe të morën më të shtrenjtën dhuratë, jetën. 

Më e rënda tashmë është që ti s’do të jesh më me çantën tënde trend për të nisur këtë start. Askush s’do të mund ta thërrasë më emrin tënd në një apel. Vetëm melekët do të munden.

E këtu duhet të ndalem e të mendoj se ne s’jemi as edhe një gjë. Ne jemi krijesa të cilat i rikthehen të madhit Krijues. Por Zoti mes nesh hodhi mëshirën dhe gjuha e saj sot ishte vetëm loti.

“O Zysh!” – e s’dua të kujtoj më detaje nga zëri yt i ëmbël, o çamarroku i vogël!

Sot s’je ti, nesër nuk do të jem unë dhe pasnesër dikush tjetër, por një gjë ka shumë rëndësi, thelbi vdekatar i qenies njerëzore.

“Të Allahut jemi, te Allahu shkojmë” e lotët e durimit përshkonin faqet e të ëmblës nënës tënde. Motër Arta të quante princ, sepse i tillë je ti për zemrën e saj, o vogëlush. Ti ishe Jo Jo-ja i saj dhe do mbetesh i tillë përjetë. S’dua të mendoj për vëllain dhe babain, ata humbën mikun më të mirë që patën. Ti do të rriteshe në shembullin e tyre.

Vogëlushi me biçikletë s’do t’u hiqet nga sytë as fqinjëve të tu, të cilët ti i përshëndetje i buzëqeshur.

Ti nuk je më dhe llogaria jote tashmë u mbyll, por duart e mia dhe të gjithë atyre që ti i bëre të të duan, do të të ndjekin kudo.

I bëj thirrje kujtdo që mundet të shpëtojë jetë, ju lutem ndërtoni në mënyrë të sigurt, ju lutem! Jo sepse ky ishte Jusifi ynë, por sepse s’duhet të ketë më të tilla fatkeqësi që sjellin në zemër dhembje, për mungesën e pak më shumë përkujdesjeje.

Tashmë po mbetem me kujtimet të cilat të ndjekin, edhe pse ecën përpara, ato do të jenë aty në çdo zemër, derisa trupi të ketë frymë.

/Blitz.al/

 

Shperndaje