Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Letra emocionuese për Claudio Ranieri-n: “Disa histori janë tepër të bukura për të pasur një fund”

Letra emocionuese për Claudio Ranieri-n: “Disa histori janë tepër të bukura për të pasur një fund”
February 24
13:35 2017

(LETRA E NJË ITALIANI PËR TRAJNERIN CLAUDIO RANIERI)

 

Përshëndetje Mister!

Kanë kaluar vetëm 9 muaj nga një prej arritjeve e përrallave më të bukura të këtij sporti.

Në moshën 64-vjeçare, një trajner i paragjykuar përherë si “përjetësisht i dyti” dhe me eksperienca negative, vendos të rikthehet në lojë.

Një përpjekje ndoshta e fundit për t’i vërtetuar vetes se nuk mund të ishte dorëheqja dhe largimi akti i fundit i karrierës tënde.

Në tavolinë nuk janë shumë propozime dhe e vetmja e denjë është ajo e një skuadre angleze, që për pak ra nga kategoria, pa emra të mëdhenj dhe me pak shpresa për sezonin e ardhshëm.

Në formacionin titullar militojnë:

-Mbrojtës qendre, kapiten dhe simbol, i larguar nga skuadra e qytetit të lindjes sepse ishte shumë i shëndoshë për të luajtur në këto nivele: WES MORGAN

-Mesfushor nga i cili do të duhet të kalojnë të gjithë aksionet e skuadrës, që para 2 sezonesh luante në Ligën 2 franceze:   N’GOLO KANTE

-Trekuartist, që duhet të bëjë diferencën me këmbët, i blerë për vetëm 5 ditë pagese që merr Carlos Tevez: RIYAD MAHREZ

-Sulmues, ai që do të duhet të shënojë çdo top të mundshëm, që luante me diletantët para 4 vitesh:  JAMIE VARDY

Sapo fillon të qarkullojë emri yt si trajner i ardhshëm, tifozët fillojnë të të kundërshtojnë, sepse në Angli kontestohen trajnerët, ndoshta pak më të edukuar se në Itali, por kontestohen.

Shoqëria vetë i njeh limitet e saj dhe nuk ka pritshmëri të mëdha: “Mjafton të mos bjerë nga kategoria”.

Kështu ti pranon!

Nuk është nevoja të shpjegoj çfarë ndodhi gjatë sezonit, e dinë të gjithë.

Disa muaj më pas, mesfushori që e more nga Liga 2 e Francës është mesfushori më i mirë i Premier League, trekuartisti që u ble për pak para dhe sulmuesi diletant vlejnë secili nga 30 milionë £.

Bashkë me mbrojtësin e shëndoshë ti arrin të çosh kupën lart.

Ishe kuotuar ta fitoje me 1 në 5000 nga bastexhinjtë.

Agjencitë e basteve kishin thënë se do kishte më shumë mundësi që Elvis Presley të ishte gjallë, Kim Kardashian të bëhej presidente  e SHBA-ve, sesa që Leicester City të fitonte kampionatin.

Kjo është arritja më e madhe e skuadrës në historinë e saj dhe ndoshta edhe e jotja.

2 mijë italianë ndodhen në atë qytezë të humbur në mes të Britanisë së Madhe për të festuar përrallën që ktheve ti në realitet.

E gjithë bota po flet për ty.

Ndërkohë në sezonin tjetër gjithçka shkon keq, rrezikon rënien nga kategoria, skuadra luan keq, deri sa arrin vendimi ekstrem: Ti, heroi i një sezoni, fut ujë në anijen tënde.

Pushohesh. Sërish.

Pikërisht atë që nuk do ta doje kurrë si aktin final të karrierës tënde.

Disa histori janë aq të bukura e të dashura sa nuk kanë nevojë për një fund si ai i yti.

Kjo është një ndër to.

Faleminderit Mister! 

 Përkthyer nga Blitz.al/

Shperndaje