Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Lamtumira e De Biasit, gazetari Kikia: “Një njeri që na ngriti kokën nuk mund ta largojmë me kokën ulur”

Lamtumira e De Biasit, gazetari Kikia: “Një njeri që na ngriti kokën nuk mund ta largojmë me kokën ulur”
June 14
14:22 2017

Largimi përfundimtar nga drejtimi i Kombëtares Shqiptare të Futbollit i trajnerit Gianni De Biasi ka sjellë një lumë reagimesh të futbollistëve, gazetarëve sportivë e jo vetëm si dhe qytetarëve të thjeshtë që e respektojnë dhe vlerësojnë për arritjet madhështore që realizoi.

Një ndër ta është edhe gazetari Mentor Kikia, që thotë se njësoj si në kohën e diktaturës kur të vrisnin natën e të qanin ditë, ashtu e pësoi edhe De Biasi.

Kikia shkruan se një njeri që na ngriti kokën nuk mund të largohet me kokën ulur.

REAGIMI I PLOTË:

Shqiptarë, respektojeni më shumë tani Xhani De Biazin
(një njeri që na ngriti kokën nuk mund ta largojmë me kokën ulur).

Kur ai erdhi me flamurin kuq e zi dhe me fitoren historike të Shqipërisë, të gjithë nxituan t’i shtrojnë tapetin e kuq nga aeroporti deri në Tiranë. Një festë që tejkaloi çdo cak e arsye në fakt. Por gjithsesi, ishte një festë dhe në festa njerëzit edhe dehen…
Kur ai tha se do të ikë me përfundimin e eliminatoreve, në tetor, pasi nuk ia rinovuan kontratën, askush nuk tha: Dale, ç’po ndodh, pse do të largohesh? Kush po të largon? Asnjëherë nuk kemi pasur një trajner më të mirë e një skuadër më të mirë. Ata që i shtruan tapetin s’u kujtuan.
Por një ditë më pas, ai doli i përlotur e me kokën ulur e tha se po ikën që sot, pa pritur fundin e eliminatoreve. Pasi kishte thënë se kokën e tij e donin menjëherë pas ndeshjes me Izraelin, ai shkroi një letër lamtumire plot edukatë. Ku shprehej “skuadra jonë”, “kombëtarja jonë”, “vendi ynë”. Ashtu si në historitë e diktaturave, ku ata që të vrisnin natën të vajtonin ditën, u përlotën bashkë me De Biazin edhe ata që i kërkuan kokën: Po pse ike, ne të donim?
Mediat sportive, po ashtu, raportuan thatë largimin e tij sikur të kishte ndodhur një aksident rrugor.
Sot De Biazin e përshëndetën vetëm shqiptarët e thjeshtë. Ata që brohoritën stadiumeve dhe ata që suksesin e Kombëtares e panë si sukses dhe krenari të vendit të tyre.
Të tjerët bëjnë vetëm hesape, llogari, pazare. Paçka se tundin flamurin e suksesit të De Biazit.
Por ka një ndryshim. De Biazi ka hyrë tashmë në historinë e futbollit shqiptar. Të tjerët askush nuk do t’i kujtojë. Ndërsa ata që e duan Kombëtaren jo për para e politikë duhet ta nderojnë më shumë se kurrë një njeri që bëri për futbollin shqiptar më shumë se çdokush tjetër në historinë e tij.
Një njeri që na ngriti kokën nuk mund ta largojmë me kokën ulur.

Shperndaje