Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kuvendi miraton rezolutën kundër Presidentit Meta, ja si u votua

Kuvendi miraton rezolutën kundër Presidentit Meta, ja si u votua
June 13
15:36 2019

Ditën e sotme, Kuvendi i Shqipërisë ka votuar rezolutën kundër Presidentit të Republikës Ilir Meta, që është një hap drejt vendimit të maxhorancës për të shkarkuar kreun e Shtetit.

Kjo erdhi pas dekretit të Metës për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Gjatë votimit të sotëm, 100 deputetë votuan pro rezolutës, 2 abstenim, 7 kundër dhe 1 pa votuar. Votimi erdhi pas debatit që zgjati 5 orë.

Në rezolutën tashmë të miratuar nga Parlamenti, maxhoranca e konsideron dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, një akt të paprecedentë që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.

“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke e njohur këtë të fundit si të vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019.”- citohet në rezolutë.

Burimi: BalkanWeb

 

Komento
Shperndaje