Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kush është Tatiana, kandidatja e PS-së në Lushnjë që vishet me të zeza

Kush është Tatiana, kandidatja e PS-së në Lushnjë që vishet me të zeza
June 08
11:38 2017

Tatiana Piro Nurçe është kandidate e Partisë Socialiste për Lushnjën në zgjedhjet e 25 qershorit.

Ajo është e renditur e 7-ta në listë dhe përfaqëson pikërisht qytetin e Lushnjës.

Në mbështetje të Tatianës kanë dalë disa persona të njohur, si gazetarja Anila Basha e së fundmi edhe këngëtarja Irma Libohova.

Basha i kushtoi një shkrim për forcën, thjeshtësinë, humanizmin. “Grua e hekurt”- e ka kurorëzuar Basha zonjën lushnjare.

Por kështu nuk e njeh vetëm gazetarja, por edhe këngëtarja Irma Libohova.

Në një koment të sajin në shkrimin e Bashës, ajo shkruan: “Tatjana e hekurt, Tatjana e dhimbshur, Tatjana e palodhur. E mrekullueshmja Tatjanë!”.

Ky është shkrimi që gazetarja Basha i kushtoi kandidates socialiste të Lushnjës publikuar nga “Newsbomb”.

 

Nga Anila Basha

 

Që prej 20 vitesh, kur nisa rrugëtimin drejt Tiranës në detyrën që i vendosa vetes të bëja, atë të gazetares, ecejaket e mia nga Tirana në Lushnje kanë qenë të shpeshta. Qëndrimi fillestar në shtëpinë time, një shtëpizë e bukur rrëzë kodrës, ngjitur me Shtëpinë e Pritjes së Personaliteteve, siç e them unë me krenari.

Rritur mes një bahçeje të madhe, mes rrushit, kumbullave, shegëve, limonëve, mandarinave e portokalleve, jeta të merrte një tjetër kuptim.

Po nuk është ky motivi i këtij rrëfimi.

Një tjetër shtëpi e madhe, në ecejaket e mia vajtje-ardhje drejt Lushnjes, më priste gjithmonë: aty ku pija kafenë në ballkonin e Blerimit, apo kur isha me nxitim më prisnin japrakët që aq me qejf i kam, si dhe byreku me lakra shtëpie.

Por më shumë se kaq, aty më priste gjithmonë Tatjana. Po ju rrëfej pra, si e njoh unë Tatjana Piro Nurçen, gruan  në biznes që vjen nga një familje çamësh tradite, një derë e madhe e hapur për çdo lushnjar, ata që kishin nevojë e ata që nuk kishin.

Më pëlqente shumë kur mamatë tona, imja pra dhe e Tatjanës, gjerbnin kafen e pasdites duke bërë thashethemet e rrobaqepësisë e trikotazhit, e unë ulesha me Tatjanën dhe dëgjoja plot kërshëri gjithë projektet dhe idetë që kjo zonjë grua kishte ndërmend të bënte, jo për vete, për komunitetin.

Mezi prisja të vinte fundviti, kur shikoja Tatjanën që gjithë “Blerimin” e vinte në funksion me darka fantastike për familjet më të pamundura, aty ku nuk shkonte dot bollëku apo gjeli i detit. E trastat e mbushura plot që u shkonin në derë çdo familjeje në nevojë.

Por më pëlqente kur në çdo 8 mars, ndaloja te “Blerimi” pa shkuar fare në shtëpi, aty ku gratë e vajzat lushnjare gumëzhinin sa në njërën anë të sallës e sa te tjetra, nën tingujt e muzikës apo nën dehjen e verës që derdhej lumë. E te çdo grua, një karafil.

Pa e kuptuar se do të hynte në rrugën e politikës (dhe për të qenë e sinqertë shpesh i jam lutur ta bëjë këtë), dy muaj më parë, me bllok në dorë, ishim duke folur për projektin më të fundit që kishte ndërmend të niste pa humbur kohë: një qendër azili për moshat e treta. Nën kujdesin e vetëm dhe personal të Tatjanës.

Mënyra sesi do lançohej, mënyra sesi do kërkonim fonde për ta mbështetur, mënyra sesi do të kërkonim listat për të evidentuar ata të cilët ishin më nevojtare…ishin pjesë e bisedës së përbashkët, ku e kisha shumë të vështirë ta përqendroja për të qëndruar pak me të: telefonatat, njerëzit që e përshëndesin, ata që kërkonin ta takonin, nuk ta lënë Tatjanën asnjëherë ta kesh ekskluzive.

Dhe kur më mori në telefon dhe më tha për projektin e saj politik, pata dy ndjesi: fillimisht u shtanga, pastaj u lumturova dhe thashë: “Si do të të ndihmoj?”

Tatjana Piro nisi rrugëtimin më të vështirë mes biznesit dhe jetës 5 vite më parë, aty ku lufta e saj me kancerin e gjirit nuk kishte një fituese tjetër përveç Tatjanës.

Ecejaket nëpër spitale, dashuria për familjen, përkujdesi për biznesin, dhe vëmendja te projektet sociale, ishin “asgjë” përballë vështirësisë së madhe dhe luftës për të jetuar. Tatjana arriti ta fitojë. Dhe kur gjendej me mjekët, vëmendja ishte te aktiviteti i radhës.

Diku e ftuar në një ambasadë, diku tjetër duke marrë medaljen e Presidentit të Republikës, diku tjetër duke u lançuar si gruaja biznesmene në mbështetje të forcimit të rolit të gruas dhe shoqërisë civile, Tatjana, unë nuk e di se ku gjente forcën dhe vullnetin për të vazhduar të merrej me të gjitha.

Tragjedia na pllakosi dhe u rrënuam shpirtërisht kur Toni, drita e saj e syve, iku krejt papritur nga jeta, një mesditë vigjiljeje ndarje vitesh një vit më parë, aty ku menduam se gjithçka kishte shkuar në vendin e vet dhe jeta po vazhdonte krejt normalisht. I uli kokën, i ndali zemrën, i preu krahët…por i la atë që duhej për t’u ringritur: karakterin e fortë njerëzor tej syve që duan të tregojnë gruan e brishtë.

E tani, ja ku jemi në fushatë. E shoh me veshjen e saj të zisë duke folur e përqafuar çdo banor.

“Unë nuk di të gënjej Anila. Ti e di shumë mirë se unë e mbaj fjalën”.

Nën një gjendje gripale të rënduar, Tatjana nuk është gruaja e fjalimeve boshe. Është gruaja e veprave. Tatjana është forca e karakterit njerëzor, e tejkalimit të dhimbjes që do të thërrmonte gurin, jo më njeriun…Por as kjo s’ndodh. Ajo është duke qeshur e duke folur me të gjithë. Dikush tjetër pas saj shënon hallin e problemin.

Shpesh ka ndodhur që i kanë importuar deputetët në Lushnje. I konsideruar si një qytet “hambar” (dhe s’di pse e konsiderojnë kështu), ajo u flet qytetarëve sikur të kishte qenë në çdo derë të tyre. Kjo nuk është dhe aq e pavërtetë në fakt. Se të gjithë i ka takuar nga njëherë apo, siç thotë tani me shaka: I ka martuar nganjëherë djemtë e vajzat lushnjare.

S’kam asnjë dyshim se çdo banor i lagjes “Kongresi i Lushnjes” do ta votojë, por nuk do mbeten pas ata të “Kadri Qystrit” apo për të mbërritur te “Loni Dhamo”. Po do marrë votat e lagjes “Xhevdet Nepravishta”, e sigurt edhe për votat e lagjes “Stan”.

Po nuk ma merr mendja se në lagjet “18 tetori” apo te “Skënder Libohova”. Jam e sigurt se ata të “Çlirimit” apo të lagjes “Gafurr Muço” do të jenë me të. Do t’i bashkojnë votat edhe ata të Karbunarës e Savrës. Sepse, më në fund, do të kemi një zë të fortë lushnjar në Kuvendin e ardhshëm.

Dhe besoj se siç flisja unë vetëm me të çdo pasdite duke pirë kafen te “Blerimi”, tashmë do ta dëgjojmë të flasë në foltoren e Kuvendit për çdo lushnjar. Po do shqyejë dyert e ministrive për të miratuar projektet për qytetin; nuk do të lërë ministër pa kapur nga xhaketa për të punuar më shumë për kushte më të mira në qendrat sociale; nuk do lërë pas as sportin në përgjithësi, aq më tepër si një ndër donatoret e ekipit të Lushnjes tani që çunat e ngritën ekipin e futbollit në Superligë.

Po nuk do lërë pas projektet e saj sociale, për azilin e pleqve apo për fëmijët në nevojë apo ata të rrugës.

Unë i besoj të gjitha këto, sepse Tatjana është një nga ne. Tatjana është lushnjare.

Komento
Shperndaje