Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kryetari i Komunitetit Mysliman uron besimtarët për Kurban Bajramin

Kryetari i Komunitetit Mysliman uron besimtarët për Kurban Bajramin
August 31
21:16 2017

Dita e nesërme është një ditë e shënuar për myslimanët në mbarë botën që festojnë Kurban Bajramin.

Me këtë rast, kryetari i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Skënder Bruçaj, me anë të një mesazhi ka uruar gjithë besimtarët për paqe, harmoni e mirësi në familjet e tyre.

MESAZHI I PLOTË:

Bismil-lahi Rrahmani Rrahim!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Të nderuar besimtarë!

Në një ditë të tillë feste në të cilën atmosfera shpirtërore ndihet anembanë, dua t’ju përcjell urimet më të mira, qofshi të gëzuar e në paqe me të gjithë të dashurit e zemrës.

Kurban Bajrami është simbol i sakrificës, sinqeritetit dhe dorëzimit të plotë tek Allahu i lartësuar. Besimtarët myslimanë shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban e duke u solidarizuar me fqinjët dhe njerëzit në nevojë.

Në këtë ditë feste e gëzimi të Kurban Bajramit u bëj thirrje të gjithë besimtarëve vullnetmirë që të bëhemi falënderues për të gjitha mirësitë dhe begatitë qe i kemi dhuratë nga krijuesi ynë dhe të tregohemi bujarë duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë, me jetimët dhe me të gjithë ata që presin përkujdesin dhe vëmendjen tonë.

Të jemi më mëshirues e tolerant, duke respektuar njeri-tjetrin dhe të lutemi që ditët e festës të vazhdojnë pa reshtur për të gjithë njerëzimin mbarë.

Le të lutemi e të festojmë të bashkuar dhe të flasim vetëm një gjuhë, atë të dashurisë, falënderimit dhe ndihmës reciproke me synimin e fitimit të kënaqësisë së Zotit.

Më lejoni t’u uroj përzemërsisht të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, gëzuar Kurban Bajramin, me lutjen që të shtohet mirëkuptimi, dashuria për njëri-tjetrin dhe të ketë paqe e mirësi në çdo fole familjare e shoqërore.

Shperndaje