Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kryepeshkopi Ortodoks uron besimtarët: “Fryma e Ngjalljes le të fuqizojë ecurinë tonë për të dalë nga çdo formë dëshpërimi”

Kryepeshkopi Ortodoks uron besimtarët: “Fryma e Ngjalljes le të fuqizojë ecurinë tonë për të dalë nga çdo formë dëshpërimi”
April 30
12:28 2016

Kryepeshkopi Ortodoks,  Imzot Anastas Janullatos, ka dërguar një mesazh urimi për të gjithë besimtarët me rastin e  Pashkës Ortodokse, duke u shprehur se kjo ditë është simbol i daljes dhe shpëtimit nga dëshpërimi. Ai ka thënë se e kremtja e Pashkës vjen që të shpërbëjë retë e dëshpërimit dhe të na çlirojë nga prirja për të mbetur “të vonuar në zemër për të besuar”. Ajo vjen për t’i dhënë forcë lutjes sonë dhe të na ndihmojë të njohim personalisht Zotin e Ngjallur.

“Në ditët tona, një dëshpërim shumëformësh dhe i papërcaktuar ka pushtuar zemrat e njerëzve. Besimi në ngjalljen e Krishtit ofron dritë dhe fuqi për të dalë nga kjo plogështi dhe ky shkurajim shpirtëror. Të mos harrojmë se Pashkë do të thotë kapërcim, kalim, dalje dhe kjo “e kremte e të kremteve” na fton në një dalje shumëdimensionale: dalje nga dëshpërimi për shkak të varfërisë, vështirësive të pakapërcyeshme ekonomike, trazirave në rajonin tonë, nga konfuzioni dhe pafuqishmëria që shkaktojnë valët e refugjatëve dhe pasojat e tyre; dalje nga dëshpërimi që akumulon hidhërimi i padrejtësisë, i shpifjes, i pakënaqësisë dhe i zemërimit për shkak të mosmirënjohjes së atyre që kemi mbështetur ose nga tradhtia e atyre që kemi dashur; dalje nga dëshpërimi që sjell dobësimi i shëndetit, dhimbja e sëmundjes apo largimi i përhershëm i të afërmve dhe miqve; dalje nga zhgënjimi që shkaktojnë gabimet, rëniet, mëkatet, dështimet tona. Të gjithë ata që e besojnë dhe e ndjekin me besnikëri Krishtin e Ngjallur e dinë se nuk janë të vetmuar në realitetin e ashpër njerëzor. Sot marrim fuqi për të kryer ndërhyrje të guximshme dhe përpjekjet e duhura sociale duke filluar nga ambienti ynë i ngushtë, familja, qyteti, vendi ku jetojmë. Fryma e Ngjalljes le të fuqizojë ecurinë tonë për të dalë nga çdo formë dëshpërimi”, – përfundon mesazhi i kreut të ortodoksëve shqiptarë.

Komento
Shperndaje