Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kryeministri britanik Cameron s’ka ndërmend të tërhiqet! Si do të reagojë Trump?!

Kryeministri britanik Cameron s’ka ndërmend të tërhiqet! Si do të reagojë Trump?!
May 05
10:03 2016

Pas vendimit të kundërshtarit republikan të Trump, John Kasich, i cili vendosi të lerë garën, Donald Trump mbetet kandidati i vetëm republikan që kandidon për President të SHBA-ve. Kjo rrit gjasat që manjati republikan të fitojë këto zgjedhje presidenciale, fitore jo aq e dëshiruar për Kryeministrin e Britanisë së Madhe, David Cameron.

Shkak janë bërë kritikat e ashpra të kryeministrit britanik drejtuar kandidatit republikan lidhur me deklaratat provokative të tij. David Cameron e cilësoi si budalla manjatin republikan dhe pikëpamjet e tij si përçarëse dhe të gabuara, kur Trump deklaroi pak kohë më parë se do të bllokonte hyrjen e refugjatëve myslimanë në Amerikë.

Pas sulmit terrorist në San Benardino, Kaliforni, Donald Trump bëri thirrje për mbyllje totale të kufijve, për të mos lejuar refugjatët myslimanë të hyjnë në SHBA për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm që ata përbëjnë, sipas tij.

Lidhur me këtë marrëdhënie që tani për tani paraqitet e komplikuar, burime të afërta të kryeministrit britanik kanë deklaruar se Cameron do i përmbushë detyrimet e tij nëse kandidati për President, Donald Trump, do të vizitojë këtë verë Britaninë e Madhe. Ish-sekretari i Mbrojtjes në Britani, Liam Fox, deklaroi se është tepër e rëndësishme përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, lidhje që do të ndikojnë edhe në të ardhmen e tyre. Nga ana tjetër, një mik i ngushtë i Trump, deklaroi se kandidati për president nuk do të tërhiqet nga deklaratat e tij.