Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Krimi në familje, dy të ndaluarit: Nuk deshëm ta vrisnim. U vetëmbrojtëm!

Krimi në familje, dy të ndaluarit: Nuk deshëm ta vrisnim. U vetëmbrojtëm!
April 05
15:58 2016

Në pritje të daljes para gjykatës të Leonard Ristanit dhe Jurgen Kurtit – dy personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku mbeti i vdekur Artur Kurti (50 vjeç) – vazhdojnë të dalin informacione të ndryshme me kalimin e orëve.

Nga deklaratat e fundit që vjen nga forcat e policisë thuhet se të dy personat, Jurgen Kurti dhe daja i tij, Leonardi, kanë rrëfyer se ngjarja ka ndodhur në rrethanat e vetëmbrojtjes.

Sipas informacioneve, për të mbrojtur veten nga sulmi me thikë i babait të tij, Jurgen Kurti ka deklaruar se ka tentuar të ndërhyjë në sherrin e filluar, ku ka mbetur i plagosur edhe daja.
Ndërkohë, përveç kësaj, Leonard Ristani është shprehur se prej kohësh qëndronte te shtëpia e së motrës për t’i qëndruar pranë, duke qenë se Artur Kurti, i cili ishte në proces divorci me bashkëshorten, shpesh kthehej në atë shtëpi duke shfaqur shenja dhune.

Ajo që i bën të dyshojë forcat e policisë është mungesa e qartësisë deri tani në deklaratat e dhëna, duke qenë se asnjëri nga të ndaluarit nuk ka shprehur qartë mohimin apo pohimin e vrasjes në vetën e parë.

Ama, të dy kanë deklaruar se qëllimi kryesor ka qenë neutralizimi i personit që humbi jetën dhe jo vrasja e tij.

Mësohet se policia e Tiranës ka referuar materialet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për veprën e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Leonard Ristani dhe nipi i tij, Jurgen Kurti, pritet të dalin para gjykatës për masën e sigurisë paraditen e së mërkurës, ku mbetet për t’u parë edhe qëndrimi i organit të akuzës mbi këtë ngjarje të rëndë.

Etiketimet
Shperndaje