Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Krimi i dyfishtë te lulishtja “1 Maji”, kërkohet “burg përjetë” për dy autorët

Krimi i dyfishtë te lulishtja “1 Maji”, kërkohet “burg përjetë” për dy autorët
September 21
10:31 2016

Nga Anduena Llabani

Prokuroria e Tiranës kërkon dënim të përjetshëm për dy autorët e vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes së një personi të tretë, ngjarje e ndodhur në dt. 01.10.2015, në zonën e quajtur lulishtja “1 Maji”, në kryeqytet.

Nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës rezultoi se të pandehurit Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo janë autorët e vrasjes me armë zjarri të shtetasve Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, si edhe të plagosjes së shtetasit Elvis Gjeçaj.

Në bazë të veprimeve hetimore rezulton se më 1 tetor 2015, rreth orës 19:45, në rrugën “Beqir Rusi”, në sheshin mes pallateve afër lulishtes “1 Maji”, dy persona kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të një autoveture të markës BMW, seria 5, në të cilën sapo kishin hipur dhe po largoheshin shtetasit Elvis Gaçaj, drejtues, Aurora Oskian, pasagjere në vend të parë, Kevin Rugova dhe E.GJ, pasagjerë në ndenjësen e pasme, të ulur përkatësisht pas Aurorës dhe Elvisit. Nga goditjet me breshëri me armë automatike kallashnikov janë vrarë në vend Kevin Rugova dhe Aurora Oskian, të dy të ulur në krahun e djathtë të mjetit, është plagosur Elvis Gaçaj dhe ka shpëtuar pa dëmtime Eda Gjura. Elvis Gaçaj u shtrua në spital ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale.

Nga hetimi rezultoi se objekt i këtij sulmi kriminal ishte Elvis Gaçaj, person me precedentë penalë në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotike. Ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti mes tij dhe të pandehurve Sael Sulaj dhe Vasiel Çavo.

Shërbimet e policisë gjyqësore arritën që më 02.10.2015 të shoqëronin në mjediset e DPQ Tiranë Sael Sulajn dhe Vasiel Çavon. Të pyetur në cilësinë e personave nën hetim, të lartpërmendurit pranuan autorësinë e krimit, si dhe shpjeguan tërë mekanizmin e ngjarjes.

Nga deklarimet e tyre rezulton që motivi i kësaj ngjarjeje është një konflikt i disa muajve më parë mes të dëmtuarit Elvis Gaçaj dhe personit nën hetim Vasiel Çavo. Elvis Gaçaj e ka rrahur Vasielin dhe, në mënyrë të përsëritur, ka vijuar të fyejë dhe shajë Sael Sulajn. Mbrëmjen e datës 01.10.2015, shtetasi Sael Sulaj ka parë rastësisht në një lokal pranë lagjes ku ai banon, shtetasin Elvis Gaçaj, duke darkuar me tre të tjerë. Ai njihte Kevin Rugovën si njërin prej personave që rrinte vazhdimisht me Elvisin. Po ashtu, ka parë që brenda lagjes, afër me shtëpinë, ishte parkuar autovetura BMW që ai e dinte që ishte e Elvis Gaçajt. Në këtë kohë, për shkak të konfliktit të lartpërmendur, shtetasit Sael Sulaj i ka lindur mendimi që të hakmerrej ndaj shtetasit Elvis Gaçaj dhe, për këtë qëllim, i ka telefonuar shokut të tij Vasiel Çavo. Pasi janë takuar, kanë biseduar për t’u hakmarrë. Këtë hakmarrje e kanë dëshiruar të dy sepse edhe Vasieli kishte pasur debate dhe konflikte fizike me Elvis Gaçajn. Të tilla konflikte ai i kishte pasur gjashtë muaj para ngjarjes dhe kishin edhe këmbime fyerjesh personale dhe familjare. Saeli dhe Vasieli kanë shkuar në shtëpinë e këtij të fundit dhe kanë marrë një armë zjarri tip automatik që ishte futur në një çantë me rrota e mbështjellë me një bluzë dhe një qese të zezë. Vasieli ka marrë edhe një pistoletë. Sipas planit të thurur prej tyre, kur Elvis Gaçaj të hipte në makinë, Saeli do të qëllonte me automatik i pari, ndërsa Vasieli do të mbështeste atë me pistoletë nëse do të dilte ndonjë e papritur. Saeli ka qëndruar në sheshpushimin që ishte përballë dhe sipër vendit ku qe parkuar mjeti, pikërisht përpara xhamit të përparmë të mjetit dhe ka pasur me vete automatikun. Ndërsa Vasieli, i pajisur me pistoletë, rrinte në një shkallë ngjitur, edhe ai në sheshpushim, me fushëpamje nga pjesa anësore e autoveturës BMW.

Elvisi dhe personat që e shoqëronin atë kanë dalë nga lokali dhe i janë drejtuar automjetit të tyre, Saeli ka mbushur armën automatike dhe, pasi të lartpërmendurit kanë hipur në mjet dhe mjeti është ndezur, ai është ngritur dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre, duke qenë përballë mjetit derisa ka mbaruar të gjithë fishekët. Menjëherë më pas, në drejtim të automjetit, anash tij, ka hapur zjarr me pistoletë edhe shtetasi Vasiel Çavo dhe të dy personat e armatosur janë larguar më këmbë në drejtime të ndryshme bashkë me armët e krimit. I pandehuri Sael Sulaj ka marrë automatikun që e ka siguruar brenda çantës me rrota dhe e ka hedhur në Lumin e Lanës automatikun dhe çantën që mbante atë, sende këto që u sekuestruan më pas si prova materiale. Ai ka ecur përgjatë lumit disa qindra metra dhe, kur ka qenë afër Bar D…, është futur pas lokalit; aty ka hequr bluzën e zezë me kapuç. Të dy djemtë janë larguar nga banesat, kanë qëndruar gjatë natës në lëvizje, kanë komunikuar në mëngjes ku kanë ndërruar numrat e telefonit dhe më pas janë shoqëruar në polici pasi kanë folur edhe me të afërmit. Qesja e zezë që shërben për mbeturina dhe që kishte mbajtur të mbështjellë automatikun para ngjarjes u la prej tij në vendngjarje, u gjet më pas gjatë këqyrjes dhe u fiksua dhe iu nënshtrua ekspertimit.

Po kështu, edhe shtetasi Vasiel Çavo ka pohuar për ngjarjen. Ai deklaroi që për praninë e Elvisit (shkurt Evit, siç njihej prej tyre), ishte njoftuar nga Saeli që i ka kërkuar që ta godisnin sepse ishte rast i mirë. Pasi kanë rënë dakord, kanë shkuar në banesën e Vasielit ku ai mbante automatikun dhe pistoletën. Automatikun e ka marrë Saeli, ndërsa Vasieli ka marrë pistoletën. Kanë bërë kontrollin e armëve nëse ishin në rregull teknikisht dhe me fishekë brenda dhe Vasieli ka qëndruar në një hyrje pallati afër mjetit dhe është mbështetur te parvazi i shkallëve, ndërsa Saeli ka qëndruar te sheshpushimi i shkallëve në hyrje të apartamentit ku ai vetë banon dhe që ishte përballë mjetit, pikërisht përballë xhamit të parë të mjetit ku do ulej edhe Elvis Gaçaj. Vasieli ka parë që Elvisi po afrohej me një djalë dhe dy femra dhe pretendon që nuk ka pasur mundësi që të njoftonte Saelin që duhej të hiqnin dorë nga veprimi sepse kishte edhe njerëz të tjerë. Ka parë që Elvisi ka hipur në vendin e drejtuesit, një bionde te vendi i parë dhe dy të tjerët kanë hipur pas. Sapo mjeti është ndezur dhe ka nisur lëvizjen mbrapsht, ka dëgjuar krisma të pandërprera dhe ka kuptuar që Saeli po qëllonte sikurse kishin rënë dakord. Pasi Saeli ka mbaruar edhe ai ka nxjerrë armën pistoletë nga brezi dhe ka qëlluar duke e mbajtur me të dyja duart në drejtim të Elvis Gaçajt. Pas kësaj është larguar mes pallateve deri afër Urgjencës, duke e fshehur armën te xhepi i barkut të bluzës që mbante veshur pa u lidhur me Saelin për të kuptuar se nga kishte shkuar ai. Më pas, është kthyer në drejtim të unazës, ka kaluar urën e vogël të këmbësorëve që është mes rrugës “Gjin Bua Shpati” dhe ish-Ekspozitës; aty, ka hedhur kapelën që mbante në kokë dhe armën e zjarrit pistoletë. Më pas, duke shfrytëzuar rrugicat ka dalë deri të shkolla “Sabaudin Gabrani” ku, në një kosh plehrash, ka hedhur bluzën që mbante veshur. Disa minuta më vonë është takuar me Saelin te një “fast food”, ku kanë biseduar për vrasjen, e ka pyetur pse nuk kishte ndërprerë veprimet kur kishte parë që kishte edhe të tjerë. Saeli i ka pohuar që e kishte humbur kontrollin e vetes nga hutimi. Më pas, secili është larguar; Vasieli është drejtuar në banesën e tij, ndërsa Saeli te disa të njohur në Fushë-Krujë. Ai pohon për rrahjet që ka pësuar nga Elvis Gaçaj dhe që kanë ndodhur muaj më parë, por për të cilat, ai nuk i ka treguar gjë policisë. Me gjithë kërkimet e bëra, policia gjyqësore nuk arriti të gjejë armën e zjarrit pistoletë.

/Blitz.al/

Komento