Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

KQZ përjashton LIBRA-n, reagon Blushi: “Bibat, bubat, bebat e Rilindjes”

KQZ përjashton LIBRA-n, reagon Blushi: “Bibat, bubat, bebat e Rilindjes”
February 16
09:19 2017

Partia e Ben Blushit nuk mund të regjistrohet në KQZ për zgjedhjet e ardhshme, të paktën për momentin, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë një udhëzim për partitë e reja, që duket sikur është ngritur enkas kundër LIBRA-s.

Sipas Nenit 68 pika 2 të Kodit Zgjedhor duhet të mbledhin 5000 firma vetëm partitë që nuk kanë një mandat në Kuvend 6 muajt e fundit, prandaj çdo parti që ka të paktën dy mandate të paktën 6 muajt e fundit në Kuvend para zgjedhjeve ka të drejtë të regjistrohet pa mbledhur 5 mijë firma.

Një kriter të tillë e plotëson edhe LIBRA me Hafizin dhe Blushin. Mirëpo, KQZ ka nxjerrë një udhëzim tjetër për këtë çështje.

Sipas udhëzimit të ri, LIBRA duhet të paraqesë në KQZ një vërtetim mandati për dy deputetët, të cilët duhet të kenë qenë në parlament të paktën 6 muajt e fundit që nga data e paraqitjes së kërkesës në KQZ. Këtë kusht LIBRA nuk e plotëson, ndaj Blushi duhet të mbledhë firmat për t’u regjistruar në KQZ.

Pas këtij vendimi, ka reaguar kreu i sapozgjedhur i partisë LIBRA, Ben Blushi, i cili ka thënë se kjo nuk është mendja e bibave të KQZ-së, por e bandës së Rilindjes.

“Pabesisht KQZ ka propozuar një akt që kërkon të bllokojë pjesëmarrjen e LIBRA-s në zgjedhjet e ardhshme të 18 qershorit. Sipas Kodit Zgjedhor një parti e cila ka një mandat deputeti, gjashtë muaj përpara ditës së zgjedhjeve, mund të regjistrohet në zgjedhje. LIBRA ka dy mandate deputetësh dhe e përmbush këtë kusht. Por KQZ ka propozuar një udhëzim sipas të cilit data referencë e regjistrimit nuk është dita e zgjedhjeve por dita e dorëzimit të listave të deputetëve. Pra jo 18 qershori, por 28 prilli. Ky akt është totalisht i personalizuar dhe bëhet vetëm për të penalizuar LIBRA-n. Kjo është njëlloj sikur 1 prillin, ditën e gënjeshtrave, ta bësh 1 qershor me vendim KQZ-je. Natyrisht nuk është mendja e bibave të KQZ-së por e bandës së Rilindjes. E kanë kot. LIBRA do shkojë në zgjedhje me çdo kusht dhe me çdo çmim, pavarësisht nga Bibat, Bubat, Babat dhe Bebat e Rilindjes”,- shkruan Blushi./Blitz.al/

Shperndaje