Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kotzias në Tiranë: Nuk i kemi përzënë çamët. Bushati: Këndvështrime të ndryshme

Kotzias në Tiranë: Nuk i kemi përzënë çamët. Bushati: Këndvështrime të ndryshme
June 06
12:38 2016

Në konferencën e përbashkët për shtyp pas zhvillimit të takimit kokë më kokë Kotzias-Bushati, dy ndër çështjet që u prekën ishin çështja çame dhe ajo për ligjin e luftës. Në fjalën e tij, Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, tha sa i përket çështjes çame se Greqia nuk i ka larguar çamët. Ai sqaroi se bëhet fjalë për çështje të ndryshme, pasi nuk janë larguar çamët gjatë Luftës së II Botërore, por ata çamë të dënuar nga Gjykata për shkak se kishin bashkëpunuar me nazistët.

“Kur flasim për këta çamë nuk nënkuptojmë asnjë grup shqiptarësh dhe sigurisht nuk nënkuptojmë Shqipërinë. Ne kemi një përqasje të ndryshme dhe të gjitha janë të njohura nga pikëpamja e historisë”, u shpreh ministri i Jashtëm i Greqisë.

Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, tha se këndvështrimet për këtë çështje janë të ndryshme, por e nevojshme është të gjendet një zgjidhje realiste.

“Sa na përket neve, çështja çame është pjesë e kapitullit që e ka origjinën në Luftën e II Botërore. Një trajtim realist do të zbuste tonet nacionaliste dhe do të rivendoste drejtësinë e munguar.”, tha Bushati, i cili theksoi se nuk bëhet fjalë për pretendime territoriale nga Greqisë.

Sa i takon çështjes së ligjit të luftës, homologu grek theksoi se është thjesht teknikalitet dhe “Greqia beson se me deklaratën e Këshillit të Ministrit të 1987 ne nuk jemi në luftë”. Ai shtoi se integrimi i Shqipërisë në NATO i bën vendet jo vetëm miq, por dhe partnerë. Kotzias ftoi ministrin Bushati që të jetë pjesë e takimit mes 4 vendeve që do të mbahet më tetor në Selanik.

Komento