Blitz | Kliko dhe Informohu

 Breaking News

Kosovë, rrëzohet qeveria e Isa Mustafës

Kosovë, rrëzohet qeveria e Isa Mustafës
May 10
13:51 2017

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për rrëzimin e qeverisë së Kosovës me vota 78 por, 34 kundër dhe 3 abstenim.

Në seancën e sotme, pas një debati të gjatë, ata kanë vendosur në lidhje me mocionin e opozitës për mosbesimin e qeverisë. Mocioni nuk do të kalonte po mos të kishte votat e deputetëve të PDK-së.

Seanca në shumicën e kohës kaloi me akuza në mes deputetëve të koalicionit PDK-LDK.

Ky mocion ka nisur nga Nisma për Kosovën dhe është nënshkruar nga opozita, disa deputetë të komuniteteve jo shumicë dhe disa deputetë të PDK-së.

Tri partitë opozitare VV, AAK e Nisma e kanë shprehur mbështetjen e tyre për ta votuar rrëzimin e qeverisë, ndërkaq partneri i koalicioni qeverisës PDK nuk ka dhënë qëndrim konkret nëse do ta votonte atë, duke deklaruar se vendimin e tyre do ta bënin të ditur në seancën e sotme.

Janë 42 deputetët të cilët kanë dhënë nënshkrimin e tyre për thirrjen e seancës për mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Nismës, Valdete Bajrami, i ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta votojnë mocionin e iniciuar nga partia e saj.

“I ftoj deputetët e Parlamentit të Kosovës ta votojnë mocionin e mosbesimit kundrejt kësaj qeverie. Falënderoj të gjithë deputetët që e kanë përkrahur këtë iniciativë”,- ka thënë Bajrami në fund të fjalës së saj.

MUSTAFA: MOCIONI, PAMFLET POLITIK PA ARGUMENTE
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar para deputetëve se mocioni i mosbesimit është një pamflet politik, pa asnjë bazë argumentuese.

Ai këtë e quan një tendencë që dobësitë e keqpërdorimet që sipas tij janë krijuar nga qeverisjet e kaluara, përfshirë edhe nga disa individë që e kanë nënshkruar këtë peticion, t’i ngarkohen kësaj qeverie.

“Vlerësoj që peticioni ka për pasojë destabilizimin e vendit përmes krijimit të mosbesimit në institucione dhe ka për qëllim fshehjen e adresave të përgjegjësve të aferave korruptive e aferave milionëshe që i janë shkaktuar këtij vendi. Faktet janë të tjera nga ato që jepen në mocion”, – u shpreh Mustafa në fjalimin e tij.

Më tej ai e lartësoi punën e qeverisë duke thënë: “Ne jemi vendi me rritjen më të madhe ekonomike në rajon, me policinë më të mirë në rajon e sukseset më të mëdha të luftës kundër terrorizmit dhe vendi më i suksesshëm në vitin e fundit në menaxhimin e emigrimit”. /Blitz.al/

Share