Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kosovë, arrestohet lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri

Kosovë, arrestohet lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri
April 12
11:02 2016

Policia e Kosovës ka vënë në pranga liderin e lëvizjes Vetëvendosja, Visar Ymeri, gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm. Raportohet se arrestimi i tij ka lidhje me rastin e deputetit Bekim Haxhiu. Burime të policisë së Kosovës shprehen se Ymeri është shoqëruar në gjykatë.

“Policia e ka shoqëruar atë deri në gjykatë, pasi ka pasur urdhëresë të tillë”, – ka thënë Flora Ahmeti, zëdhënëse e rajonit të Prishtinës, raporton “Zëri”.

Lajmi për arrestimin e Ymerit është konfirmuar edhe nga lëvizja Vetëvendosja, e cila akuzon qeverinë e Kosovës se me këtë vendim ka riaktualizuar raste të para shumë viteve, vetëm sa për të shtypur kundërshtarët politikë.

Reagimi i plotë i Vetëvendosjes:

“Sot, rreth orës 09:00, është arrestuar sërish kryetari i lëvizjes Vetëvendosja, Visar Ymeri.

Si rezultat i dështimit të saj në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik, qeveria e Kosovës, përmes drejtësisë që e ka kapur, ka riaktualizuar raste të para shumë viteve vetëm sa për të shtypur kundërshtarët politikë. Në mungesë të çdo legjitimiteti, pushteti po synon të qeverisë duke montuar raste dhe duke burgosur opozitën.

I ndeshur me pakënaqësinë më të madhe qytetare që ka ekzistuar ndonjëherë në Kosovë, ky pushtet, në vend që të reflektojë e t’i kthehet popullit, po e shndërron veten në regjim policor totalitar, që shtyp pakënaqësinë.

Lëvizja Vetëvendosja kërkon lirimin e menjëhershëm të kryetarit të saj dhe ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha rasteve gjyqësore politike dhe të montuara, kundër aktivistëve të saj”.