Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

“Korrupsion pasiv”, arrestohet drejtori i IMTV në Lushnjë

“Korrupsion pasiv”, arrestohet drejtori i IMTV në Lushnjë
May 31
09:35 2016

Drejtori i IMTV pranë Bashkisë Lushnjë, Laver Dupi 52 vjeç, është vënë në prangat e policisë nën akuzën e korrupsionit pasiv, pas denoncimit të bërë ndaj tij në emisionin investigativ “Fiks Fare”.

Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë Lushnje, la dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Laver Dupi, i cili i ka kërkuar 100.000 lekë shtetases me iniciale N. SH për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.

Shtetësja Nurieta Shefa është ankuar fillimisht në redaksinë e emisionit pas sorollatjeve të shumta që i ishin bërë për zbatimin e vendimit të gjykatës. Shkak ishte bërë një mur avllie i ndërtesës së fqinjëve të saj i ngritur në sipërfaqen e tokës që ajo dhe familja kishin trashëguar nga i ati.

Fillimisht ajo është ankuar në Bashkinë Lushnjë dhe më pas kryebashkiaku Fatos Tushe ka urdhëruar ngritjen e një komisioni, ku një ndër anëtarët ishte edhe drejtori i IMTV-së që sipas denoncueses i ka kërkuar asaj 300.000 lekë, më pas kompletimin e shtëpisë së tij në Tiranë me perde dhe korniza inoksi, pasi Nurieta zotëron një dyqan perdesh në qytetin e Lushnjës.

Ai ka kërkuar një tjetër shifër një vit më vonë, pasi gjykata lëshoi urdhër ekzekutimi për lirim dhe dorëzim sendi (truallin), por ky urdhër ende nuk është ekzekutuar. Drejtori Dupi prapë nuk e ekzekutoi urdhrin me pretekstin se duhet të jetë e pranishme zyra e përmbarimit.

“Sektori për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë Lushnje, pas një hetimi dy javor, të nisur menjëherë pas një denoncimi të bërë në emisionin investigativ “FIKS FARE”, bënë arrestimin për veprën penale të korrupsionit pasiv të shtetasit Laver Dupi, 52 vjeç, me detyrë Drejtor IMTV pranë Bashkisë Lushnje”, thuhet në komunikatën e policisë.

Komento