Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Konferenca rajonale e grave parlamentare, Meta: Nevojiten ndryshime në ligj, barazia gjinore mbetet sfidë

Konferenca rajonale e grave parlamentare, Meta: Nevojiten ndryshime në ligj, barazia gjinore mbetet sfidë
April 27
10:14 2016

Konferenca rajonale e grave parlamentare është duke u zhvilluar sot në Tiranë nën drejtimin e deputetes Arta Dade. I pranishëm në punimet e kësaj konference është edhe kryeparlamentari Ilir Meta, i cili ka shprehur mbështetjen e tij për barazinë gjinore. Kryeparlamentari theksoi se nevojiten të bëhen ndryshime ligjore me qëllim shtimin e grave deputete, pavarësisht hapave përparues që janë ndërmarrë deri tani.

“Suksesi më i rëndësishëm është ndryshimi në kodin elektoral për sa takon zgjedhjeve vendore ku u vendos që në listën për këshilltarë 1 në 2 anëtarë të jetë patjetër grua. Kjo ka bërë të mundur që në këshillin e bashkisë së Tiranës për herë të parë të kemi një shumicë gjinore të grave. Inkurajoj që sa herë shkelet etika në këtë kuvend të reagojnë së bashku sepse kështu jo vetëm mbrojnë dinjitetin e njëra-tjetrës por edhe standardin që duhet të ketë kuvend. Shqipëria bëri një hap të rëndësishëm, një reformë administrative-territoriale që u shoqërua edhe me zgjedhjen e shumë zonjave të nderuara si kryebashkiake. Besoj se drejtimi i tyre me sukses do të hapë rrugën që në zgjedhjet e tjera, roli i tyre të fuqizohet më tej”,u shpreh Meta.

Ai kërkoi bashkëpunim për të çuar më tej përfaqësimin cilësor të gruas në Kuvend dhe falenderoi partnerët ndërkombëtarë për kontributin e tyre.

Nga ana tjetër, ambasadori i OSBE-së, Florian Rauning, tha se barazia gjinore në Shqipëri është ende larg objektivit. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, ai tha se vetëm 36 për qind e deputetëve në Shqipëri janë femra.

“Rritja e numrit të grave që interesohen për politikën është i lartë. Ne po punojmë me gratë që të kenë sukses në postet e tyre. Ka pasur progres në këtë proces. Ka qenë i ngadaltë, por jemi ende shumë larg barazisë së plotë me burrat. Asnjë vend nuk mund të lulëzojë duke injoruar problemet:, tha Rauning.

Komento
Etiketimet
Shperndaje