Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kokëdhima i shmanget deklaratës së një dite më parë. Nuk flet për rolin e ambasadorëve

Kokëdhima i shmanget deklaratës së një dite më parë. Nuk flet për rolin e ambasadorëve
November 04
14:53 2016

Ish-deputeti socialist Koço Kokëdhima ka folur sot në një konferencë për mediat duke sqaruar pozicionin e tij në politikë e biznes, si dhe duke i dhënë përgjigje ambasadorit amerikan Donald Lu, pasi ky i fundit e përfshiu atë në listën e politikanëve të korruptuar.

Por në krahasim me deklaratën e një dite më parë në faqen e tij zyrtare në Facebook, Kokëdhima nuk ka folur për rolin e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri, por përkundrazi ka folur me respekt për ta, veçanërisht për Amerikën.

Ndër të tjera, Kokëdhima tha se z.Donald Lu e ka bërë këtë deklaratë nisur nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, si edhe i ndikuar nga shpifjet dhe intrigat e politikanëve të Tiranës që nxijnë e shpifin për njëri-tjetrin sa nga një ambasadë në tjetrën.

“Mua nuk më është konstatuar asnjë shkelje nga Gjykata Kushtetuese dhe nuk jam gjykuar apo shpallur fajtor. Gjykata nuk më ka dyshuar, gjykuar apo dënuar dhe as cilësuar si të inkriminuar. Në pikën 22 të vendimit shkruhet qartësisht se që nga dita që Kokëdhima është bërë deputet nuk ka marrë asnjë tender e asnjë kontratë me entet shtetërore, duke përmbushur deri në fund kontratat e lidhura përpara se Kokëdhima të bëhej ligjvënës”,- tha ai.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u diktua politikisht. Në momentin e përshtatshëm do të publikoj fakte të qarta e të kuptueshme që hedhin dritë mbi këtë ngjarje. Për këto arsye e kam ankimuar vendimin në Gjykatën e Strasburgut”, – shtoi më tej ai.

“Donald Lu më cilëson mua si politikan të korruptuar. Kjo deklaratë nëpërkëmb në mënyrë flagrante jo vetëm etikën diplomatike, por edhe atë qytetare. Ambasadori e bën këtë deklaratë pa asnjë provë e pa asnjë fakt, pa iu referuar asnjë burimi. Unë besoj se këto deklarata krejtësisht të pavërteta, të bëra nga ambasadori i nderuar Donald Lu në adresën time, janë të ndikuara nga ata njerëz që goditën mandatin tim në Kushtetuese dhe nga arsenali i jashtëzakonshëm i shpifjeve dhe intrigave të politikanëve të Tiranës, të cilët nxijnë njëri-tjetrin sa në një ambasadë në tjetrën”,- tha ndër të tjera Koço Kokëdhima në fjalën e tij para mediave. /Blitz.al/

Statusi i djeshëm i ish-deputetit socialist:

kokedhima-dje

Komento
Shperndaje