Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kinematografia shqiptare në zi! Ndahet nga jeta regjisori Gjergj Xhuvani!

Kinematografia shqiptare në zi! Ndahet nga jeta regjisori Gjergj Xhuvani!
August 14
15:45 2019

Regjisori i njohur Gjergj Xhuvani është shuar në moshën 56-vjeçare në një spital në Romë. Kineasti është i pari shqiptar, që në vitin 2001 me filmin “Parrullat” arriti të bëjë Shqipërinë pjesë të Festivalit të Filmit në Kanë.

Është ndarë nga jeta regjisori i njohur Gjergj Xhuvani. Sipas “Report TV” kineasti ka qenë i shtruar në një spital në Romë, pasi gjendja e tij shëndetësore së fundmi ishte përkeqësur. Xhuvani prej vitesh vuante nga diabeti.

Kineasti Gjergj Xhuvani është një regjisor, skenarist dhe producent shqiptar. Ai lindi në vitin 1963 në Tiranë. Në vitin 1986 u diplomua në Akademinë e Arteve në Tiranë, dega Artet Dramatike. Që nga viti 1986 deri në vitin 1990, ai punoi si asistent regjisor në shumë filma dhe në vitin 1991 realizoi filmin e tij të parë “Bardhë e zi”.

Ka punuar si regjisor në filma mjaft të njohur për publikun, si “Në kërkim të kujt”, “Lindje, perëndim, lindje”, “I dashur armik”, “Parrullat” etj.Qe i pari që mundi të çojë Shqipërinë në Kanë përmes filmit “Parrullat” në vitin 2001.
Ka dhënë kontributin e tij në kinematografinë shqiptare edhe si skenarist në filma si “Parrullat”, “I dashur armik”, “Në kërkim të kujt” etj.

Po ashtu ai ka interpretuar si aktor në “Edhe ne luftuam” dhe “Hije që mbeten pas”. Pas filmit “Engjëjt janë larg”, një vit më parë kineasti Gjergj Xhuvani prezantoi në kinema realizimin e fundit kinematografik,“Liqeni im”.

Komento
Shperndaje