Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Kërcënohet Adriatik Llalla, kryeprokurori detyrohet të largojë familjen nga Shqipëria

Kërcënohet Adriatik Llalla, kryeprokurori detyrohet të largojë familjen nga Shqipëria
September 23
15:29 2016

Kryeprokurori Adriatik Llalla  është detyruar të largojë familjen e tij nga Shqipëria pasi është kërcënuar nga persona të panjohur për shkak të hetimit mbi një dosje të fortë kriminale. Bëhet fjalë për  një ngjarje e cila daton dy muaj më parë, kur në telefonin e kryeprokurorit kanë mbërritur telefonata dhe mesazhe kërcënuese anonime.

Burimet i pohojnë “Top Channel” se kërcënimi ka qenë serioz dhe i drejtpërdrejtë në drejtim të zotit Llalla dhe familjarëve të tij më të afërt.

Të njëjtat burime citojnë gjithashtu gjendjen e shqetësuar të kryeprokurorit, bashkëshortja e të cilit pret edhe një fëmijë të tretë. Kryeprokurori ka njoftuar autoritetet qeveritare, Presidentin e Republikës, Shërbimin Informativ dhe më pas janë shtuar masat e sigurisë, qoftë në prokurori, shtëpinë private si dhe eskortat për familjarët, dy fëmijët e tij të cilët janë në shkollë dhe bashkëshorten.

Sërish në drejtim të kryeprokurorit kanë vijuar të vijnë sinjalizime për një hakmarrje të mundshme fizike ndaj tij dhe familjes. Nuk dihet natyra e kërcënimit, megjithatë aludohet se bëhet fjalë pikërisht për një dosje hetimore ndaj një grupi të supozuar kriminal. Në lidhje me këtë ngjarje janë vënë në lëvizje edhe ambasadat e huaja në Tiranë. Zhvendosja e familjes së kryeprokurorit ka ndodhur përpara fillimit të vitit të ri shkollor dhe mësohet se ata ruajnë identitetin e tyre dhe ruhen 24 orë nga policia.  Sistemimi i familjes së kryeprokurorit  nuk do të jetë një masë e përkohshme, por e përhershme. Ky rast mund të quhet një nga më të rëndët që i ka ndodhur një kryeprokurori.

Zyra e hetimit ka pohuar se puna vijon normalisht dhe nuk cënohen hetimet./Blitz.al/

Shperndaje