Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

KED, ngrihet Institucioni i parë i Drejtësisë

KED, ngrihet Institucioni i parë i Drejtësisë
January 27
15:40 2017

Nga Anduena Llabani

Kuvendi hodhi sot shortin për ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Këshilli do të këtë 9 anëtarë dhe 3 të tjerë zëvendësues. Procedura u krye në prani të misioneve ndërkombëtare dhe medias, duke shënuar zyrtarisht nisjen në praktikë të reformës në drejtësi.

27 janari 2017 do të hyjë në historinë postkomuniste si dita kur nisi ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë.

Nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, u hodh shorti publik për përzgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Nga 53 kandidatura, shorti i rastësishëm veçoi nëntë anëtarë, mes tyre edhe Besnik Imeraj, gjyqtarin kushtetues që votoi për pezullimin e ligjit të Vetting-ut…

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk gëzon rol vendimtar në piramidën e re të drejtësisë, por pavarësisht kësaj për ngritjen e tij pati rezerva nga deputetja socialiste Vasilika Hysi.

Anëtarja e Komisionit të Ligjeve shprehu rezerva për mospublikimin e listës së kandidaturave nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Megjithatë, pavarësisht rezervave procedurale, kreu i kuvendit deklaroi se parlamenti ka përmbushur me transparencë rolin që i takonte, vetëm atë të hedhjes se shortit për KED.

KED do të kryejë verifikimin e kritereve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. /Blitz.al/

Shperndaje