Kapet grabitësi i karburanteve, punonjës i Gardës së Republikës

Nga Anduena Llabani
Gardisti që u vu në prangat e policisë pas akuzave për vjedhje të disa karburanteve ishte punonjës i Gardës së Republikës. Duke përfituar nga ky rol, ai i kalonte postblloqet pa problem. Në reagimin e saj, garda ka bërë me dije se Geraldo Guci, 21 vjeç, ishte punonjës në provë në godinën e parlamentit dhe ende nuk i ishte dhënë arma e shërbimit.
Njoftimi i plotë i policisë
Më 18.10.2016, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2 bënë të mundur finalizimin e operacionit “Grabitësi”, ku u bë i mundur ndalimi i shtetasit Geraldo Guci, 21 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës i Gardës së Republikës.
Shtetasi i lartpërmendur, pasi linte mjetin e tij në një distancë të konsiderueshme dhe kontrollonte me kujdes territorin, bënte goditjet në karburant. Shumën monetare të marrë në karburante dhe armën e zjarrit së bashku me veshjen i vendoste në brendësi të sediljes së mjetit të tij tip “Mercedes Benz”, për t’iu shmangur pikave të kontrollit.
Ky shtetas rezulton të jetë autor i dyshuar i disa vjedhjeve me armë të disa karburanteve në Tiranë dhe konkretisht:
- Në datën 16.10.2016, në rrugën “Isuf Elezi”, Selitë, është vjedhur nëpërmjet kërcënimit të armës një pikë karburanti, ku janë marrë 8.000 lekë dhe një aparat telefonik “iPhone”.
- Në datën 12.10.2016, në rrugën “Isuf Elezi”, Selitë, është vjedhur nëpërmjet kërcënimit të armës, një pikë karburanti, ku janë marrë 15.000 lekë.
- Në datën 09.10.2016, në rrugën “Teodor Keko”, është vjedhur nëpërmjet kërcënimit të armës, një pikë karburanti, ku janë marrë 20.000 lekë.
- Në datën 03.09.2016, në rrugën “Myslym Shyri”, është vjedhur nëpërmjet kërcënimit të armës, një pikë karburanti, ku janë marrë 40.000 lekë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: 1. një aparat telefonik i tipit “iPhone 6”, i vjedhur më datë 16.10.2016, shtetasit H.S; 2. një automjet i tipit “Mercedes Benz”, TR8483P, në pronësi të shtetasit Geraldo Guci, në brendësi të së cilës u gjetën: tri gëzhoja pistolete model 54; dy fishekë automatiku model 56.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale të “Vjedhja me armë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, parashikuar nga Nenet 140 dhe 278/2 të Kodit Penal.
/Blitz.al/