Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Jep dorëheqjen kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi: Nuk e mbyll këtë histori, kjo është beteja ime

Jep dorëheqjen kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi: Nuk e mbyll këtë histori, kjo është beteja ime
May 31
13:22 2016

Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, ka vendosur të dorëhiqet nga ky post. Në letrën e shkruar, ai shprehet se e ka të pamundur të vazhdojë të kryejë detyrën pas akuzave të vazhdueshme kundrejt tij, sikur të jetë kriminel apo trafikant. Këto sulme të vazhdueshme, sipas tij janë edhe më tepër poshtëruese për familjen.

Ai shkruan ndër të tjera se një informacion që i ka mbërritur sot, që e ka kapur në befasi të plotë, ndryshon gjithçka.  “Avokatët e mi më kanë informuar, se papritur dhe pa kujtuar rezultojë të jem dënuar si minoren! I bie të jem dënuar pa dijeninë time në Itali në kohën kur isha ende në kampin e refugjatëve. Jam akoma i shokuar nga ky njoftim dhe as unë vetë nuk di çfarë të shpjegoj më shumë. E vetmja gjë që mund të kujtoj është se na patën shoqëruar njëherë në polici në tufë nga kampi pas një sherri të madh. Mua me ndanë veç se isha minoren dhe kur më morën në pyetje nuk dija akoma as pesë fjalë italisht. Por as kam qenë ndonjëherë në gjyq as kam bërë ndonjë ditë burg për këtë dënim të dhënë nga një gjykatë minorenesh, që rezulton në kartelën time penale kur sapo kisha mbushur 16 vjeç”, shkruan Roshi.

Kreu i Kavajës shkruan se që në çastin që “shporri Sali Berishën dhe ordinerët e vet nga Kavaja që e zhytën në zhul dhe mjerim njëzet vjet rresht”, e dinte se do kishte të bënte me PD-në. Në vijim të letrës, ai i kërkon falje qytetarëve të Kavajës dhe kryeministrit Rama që e besuan dhe e mbështetën, por siguron se nuk do e lërë me kaq.

“Nuk e kisha menduar kurrë këtë ndarje me qytetin dhe njerëzit si kryetar bashkie. Po as nuk e mendoj që ta mbyll këtë histori pa fituar në rrugën e drejtësisë pafajësinë që meritoj. Kjo është tani beteja ime për dy gocat e mia dhe për gjithë qytetarët e Kavajës.”, e përmbyll ai letrën.

Etiketimet
Shperndaje