Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Jep dorëheqjen De Biasi, flet i përlotur: “Largohem, por asgjë s’mund ta copëtojë lidhjen e fortë me kombin”

Jep dorëheqjen De Biasi, flet i përlotur: “Largohem, por asgjë s’mund ta copëtojë lidhjen e fortë me kombin”
June 14
11:41 2017

Trajneri i Kombëtares Gianni de Biasi nuk ka pritur fundin e eliminatoreve të Botërorit 2018 për t’i dhënë fund aventurës me Kombëtaren Shqiptare, por një ditë pasi njoftoi se nuk do të rinovonte kontratë ka paraqitur dorëheqjen.

Vetë De Biazi e ka zyrtarizuar vendimin e tij në konferencën për shtyp, ku doli bashkë me presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Teksa lexonte letrën e dorëheqjes, De Biazi u shfaq i emocionuar dhe i përlotur.

Në krah të de Biasit, në konferencën për shtyp, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, u shpreh se pranon me keqardhje dorëheqjen e trajnerit si një vendim të tijin personal.

Numri një i qeverisë së futbollit në vend hodhi poshtë akuzat se largimi i De Biasit nga pankina kuqezi ishte një vendim i tij.

“Ky është një vendim personal i trajnerit. Nuk mendoj se cikli i tij ka përfunduar”, – ka thënë Duka.
Vetëm një ditë më parë, De Biasi akuzoi tërthorazi FSHF-në, duke bërë të ditur se nuk i kishte pëlqyer trajtimi që i ishte bërë kohët e fundit në lidhje me rinovimin dhe se tani ishte shumë vonë të ulej në tavolinën e bisedimeve

Vetë de Biasi i përlotur ka thënë fjalë zemre për shqiptarët dhe Kombëtaren. Kjo është letra e plotë.

 

LETRA E DORËHEQJES

“Kjo është një faqe e përvojës time profesionale në Shqipëri që kurrë nuk do ta kisha dashur ta shkruaja!

Kam menduar dhe medituar gjatë dhe dëshiroj t’ju informoj se duke nisur nga sot nuk do të jem më trajneri i Kombëtares sonë.

Do të ndalem këtu sepse dëshiroj të mendoj për të mirën dhe rritjen e ekipit.

Besoj se e kam përmbushur detyrën time, e cila më ka lejuar të nxjerr nga këta djem ato cilësi që në të kaluarën e afërt kanë bërë të mundur të jetojmë ëndrrën europiane!

Atë ëndërr e cila që në ndeshjen e parë në Gjeorgji, nëpërmjet asaj letre të hapur, kisha kërkuar të ngulitja në kokën e tyre dhe në zemrën e tyre!

Është një zgjedhje profesionale shumë luftarake, e vështirë. Uroj që të arrini ta kuptoni, edhe pse jo të gjithë mund ta pranojnë. Kemi jetuar vite të mbushura plot emocione dhe kënaqësish dhe kemi arritur rezultate me të vërtetë të rëndësishme që shumë i konsideronin të pamundura.

Gjatë gjithë kësaj kohe kam punuar gjithmonë me pasion të madh, me një entuziazëm të ri falë edhe rezultateve dhe euforisë ngjitëse e të gjithë shqiptarëve, në atdhe dhe atyre të shpërndarë nëpër botë.

Impenjimi i përditshëm, përpjekja për t’iu transferuar djemve një mentalitet te ri, një mentalitet fitues.

Angazhimi i vazhdueshëm së bashku me gazetarët tuaj, i mediave për t’iu kaluar një komunikim korrekt, transparent, proaktiv ka qenë një punë e detajuar me të vërtetë vazhdimisht e mundimshme, nganjëherë dhe e bezdisshme.

Dëshiroj të theksoj se sot largohem nga udhëheqja e Kombëtares, duke mos pasur një ekip në të cilin të punoj, ndërkohë që gjatë këtyre viteve gjithmonë kam rezistuar ndaj tundimeve të ofertave të punës, duke ditur që vendi im ishte në udhëheqjen e djemve tanë drejt një rritjeje të qëndrueshme në drejtim të realizimit të tyre.

Pas Europianit isha vendosmërisht i bindur që mund të përmirësonim më tej dhe se përvoja që patëm gjatë tri ndeshjeve në Francë do të na lejonte një rritje të mëtejshme globale.

Dhe kështu do të jetë, por me një trajner të ri!

Po largohem me vështirësi, por i vetëdijshëm që cikli im në këtë grup ka përfunduar dhe që mund t’i japë rastin atij që do të më zëvendësojë, të njohë djemtë në katër ndeshjet e ardhshme.

Më lejoni të falënderoj tse gjithse ata që bashkëpunuan në rritjen dhe zhvillimin e projektit të Shqipërisë që na ka çuar të jemi në vendin e 22-të të Ranking Fifa, që na ka mundësuar të mundim Norvegjinë jashtë shtëpisë, të fitonim dhe barazonim kundër Francës dhe të fitonim kundër Portugalisë, i mundur pas nesh deri në pushtimin e Euro 2016!

Dhe më në fund për të arritur ëndrrën tonë.

Dëshiroj me këtë rast të falënderoj publikisht ata të cilët më dhanë këtë mundësi të madhe, presidentin Armando Duka, që gjithmonë më ka mbështetur dhe më ka dhënë letrën e bardhë (La Carta Bianca) për të vepruar në rolin tim si përzgjedhës. Një falënderim të përzemërt të gjithë djemve që gjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë pjesë e ekipit, faleminderit për gjithçka që më keni dhënë, që keni dhënë për fanellën tonë!

Është një përvojë që më ka pasuruar si në aspektin profesional ashtu edhe në atë njerëzor, më keni befasuar me përkushtimin tuaj dhe përfshirjen tuaj në sfidën tonë!

Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, veçanërisht Paolo Tramezzani, shok udhëtimi që nga dita ime e parë në Shqipëri, gjithmonë i gatshëm për të më mbështetur i palodhshëm në punën në terren dhe në shumë udhëtime për të takuar lojtarët tanë të rinj!

Albertos që ka ndjekur përgatitjen dhe rikuperimin e djemve, Ilir Boziqi, Ervin Bulku dhe gjithë stafi teknik! Benyy Celiku, Gianluca Stesina, Filippo Iori, i cili ka trajtuar lojtarët së bashku me Ylli Mihali, Merepeza, Arben Voci dhe të madhin Fatos Kademi, një punëtor i palodhur!

Të gjithë njerëz të çmuar dhe madhështorë ekipi!

Për të gjithë njerëzit që punojnë në federatë, që nuk dallohen por që bëjnë një punë të vlefshme për rezultatin përfundimtar!

Falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë tifozët tanë të përkryer, lojtari ynë i dymbëdhjetë.

Gjithmonë të gatshëm të na ndiqnin kudo me flamuj e me zemër.

Çdo gjë në futboll, në sport, ashtu si në jetë, ka një fillim të tij dhe një fund! Cikli im si trajner i Kombëtares ka përfunduar, por asgjë nuk mund të copëtojë kurrë lidhjen e fortë që më lidh me kombin tonë dhe të shumë njerëzve që në këto pesë vite e gjysmë të bukura pata fatin t’i takoj!

Tani fara është mbjellë në tokë, po rritet dhe me angazhimin, përkujdesjen dhe punën e të gjithëve do të dijë të japë fryte të shkëlqyera!

Mirënjohje, Gianni De Biasi”.

Shperndaje