Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ja kërkesat e përbashkëta të partive shqiptare të Maqedonisë

Ja kërkesat e përbashkëta të partive shqiptare të Maqedonisë
January 07
15:52 2017

Partitë shqiptare të Maqedonisë kanë marrë vendimin historik për t’u bashkuar në shërbim të interesit të përbashkët të çështjes së shqiptarëve.

“Bashkimi Demokratik për Integrim”, “Koalicioni Rilindje me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët” kanë dalë në konkluzione të përbashkëta pas diskutimeve mes tyre.

Një vendim i tillë ka qenë i shumëpritur, sepse këtë vit në bazë të votave të marra, 2 partitë kryesore maqedonase nuk mund ta formojnë qeverinë pa palën shqiptare në koalicion.

Sot këto parti kanë publikuar deklaratën e përbashkët si më poshtë, duke kërkuar zbatimin e këtyre pikave në programin e tyre:

-Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën.

-Zbatimi i përpiktë i parimit të multietnicitetit në Kushtetutën e RM, ku shqiptarët njihen si popullsi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullsinë shqiptare.

-Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se “gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë”.

-Debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.

-Miratimi i një rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912 – 1956.

-Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal.

-Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave për një vendimmarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave.

-Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara.

-Realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.

-Realizimi i përfaqësimit të drejtë në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore si dhe në agjencitë publike ose ndërmarrjet me aksione publike.

-Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik.

-Zbatimi i planit të reformave në përputhje me Marrëveshjen e Shkupit, rekomandimet e Pribesë, rekomandimet urgjente të Komisionit Europian si dhe rekomandimet nga Dialogu i Lartë Paraqasës me BE-në.

-Përkrahje e punës së paanshme të Prokurorisë Speciale, pa paragjykime etnike dhe politike.

-Zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova” nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare.

-Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike si element thelbësor për stabilitetin politik të vendit.

-Marrja e masave afirmative për të siguruar financimin e institucioneve kulturore shqiptare në nivel vendor dhe qendror.

-Krijimi i një institucioni qendror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesve, redaktuesve dhe lektorëve.

-Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.

-Miratimi i një Rezolute të Përbashkët dhe Detyruese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me të cilën Qeveria e Republikës së Maqedonisë angazhohet në mënyrë aktive në drejtim të zgjidhjes së çështjes së emrit.

-Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë.

-Marrëdhënie të mira me fqinjët.

-Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Bullgarinë.

-Bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve.

-Hapje e pikave të reja kufitare.

-Integrim i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian.

-Përmbushja e pikave të mësipërme do të zhbllokojë rrugëtimin e Maqedonisë drejt integrimit të plotë në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

-Përmbushja e këtyre objektivave do të mbikëqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare.

-Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare.

-Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmendura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.  /Blitz.al/

Shperndaje