Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ja cilët janë viktimat e tragjedisë së Brukselit…

Ja cilët janë viktimat e tragjedisë së Brukselit…
March 23
09:17 2016

Kanë filluar të zbardhen emrat e atyre që u vranë, u dëmtuan apo që janë shpallur të humbur nga sulmet në Bruksel. Kjo po arrihet nëpërmjet bashkëpunimit të qeverisë belge me familjarët dhe të afërmit e njerëzve të prekur nga ngjarjet.

Të paktën 31 veta janë raportuar të vdekur, shumica në shpërthimin që ndodhi në metronë Maelbeek dhe 11 të tjerë në shpërthimin e aeroportit. Përafërsisht ka 230 të plagosur, të cilët kanë kombësi të ndryshme.

36-vjeçarja Peruvian Adelma Tapia Ruiz është konfirmuar si  viktima e parë.  Ajo jetonte në Bruksel dhe ndodhej në aeroport për të përcjellë disa të afërm të bashkëshortit të saj, i cili është plagosur. Të njëjtin fat kanë pasur edhe vajzat e këtij çifti, të cilat u plagosën pas shpërthimit ndërkohë që ato po luanin. Vëllai i 36-vjeçares lajmëroi në Facebook për ngjarjen e trishtë: “Tragjedia e sotme preku familjen time, pasi motra ime Adelma vdiq sot në aeroport nga sulmi terrorist. Ajo nuk mundi t’i shpëtojë këtij tmerri xhihadist që kurrë nuk do ta kuptojmë pse na ndodhi dhe si…”

Ndër të vrarët bëhet me dije se janë të paktën 8 qytetarë francezë, 3 italianë, 2 britanikë, 2 kolumbianë dhe një nga Ekuadori.

Ka gjithashtu shumë pikëpyetje për një britanik që nuk është parë në zyrë në mëngjes dhe nuk ka kontaktuar me asnjë nga familjarët pas shpërthimeve. Miq të tij besojnë se personi në fjalë duhet të ketë qenë në metro rreth asaj ore.

Një çift i martuar ishte gjithashtu i zhdukur, por vajza e tyre e madhe pas postimesh në Facebook arriti të marrë vesh se mamaja e saj ndodhej në një prej spitaleve të Brukselit, ndërkohë që nuk ka asnjë lajm nga i ati. Ajo rrëfen se të dy ata ndodheshin në aeroport në momentin e shpërthimit.

Një grua amerikane ishte në aeroport pasi ishte kthyer së vizituari fëmijët e saj jashtë vendit dhe nuk ka asnjë lajm nëse ajo është gjallë ose jo.

Gjithashtu, motër e vëlla, Aacha dhe Alexander Pinczowski, besohet të kenë humbur. Ata kanë shkuar në mëngjes në aeroport dhe më pas nuk kanë pasur asnjë kontakt me asnjë të njohur.

Rrjetet sociale janë mbushur të gjitha me lajmërime dhe kërkesa për ndihmë për shumë njerëz të cilët nuk kanë asnjë lajm prej të afërmve të tyre. Gjendja vazhdon të mbetet kaotike për sa u përket sistemimeve në spitale apo infermieri. Edhe policia nuk është në gjendje të përdorë të gjitha kapacitetet në identifikimin dhe më pas lajmërimin për të gjithë të prekurit nga shpërthimet terroriste paraditen e djeshme.

Komento
Shperndaje