Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Italia nuk ndalet, i do bizneset Call Centër në shtëpi. Një plan i ri në prag

Italia nuk ndalet, i do bizneset Call Centër në shtëpi. Një plan i ri në prag
March 08
09:25 2017

Vendi përtej Adriatikut, Italia, duket se e ka vendosur të ndjekë politika të ngjashme me presidentin amerikan Trump, duke vendosur veten të parën e më pas të mendojë për të tjerët.

Bëhet fjalë për bizneset Call Center, që qeveria italiane dëshiron t’i rikthejë në shtëpi.

Gazeta “Republica” shkruan se ka nga ata që e kanë mirëpritur dhe nga ata që e kanë konsideruar lëvizje elektorale. “Protokolli nuk është i detyrueshëm, u drejtohet vetëm atyre kompanive që duan të ndjekin këtë nismë”,- bën të ditur Paolo Sarzana, president i Assocontact, Shoqata Kombëtare e Contact Center.

Ministri italian i Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda, ka bërë të ditur se është përgatitur një plan i posaçëm për tërheqjen në atdhe të firmave Call Center.

Synimi i tij është nënshkrimi i një protokolli marrëveshjeje me firmat e mëdha, bankat, shoqëritë e sigurimeve apo televizionet me pagesë, për t’i angazhuar që veprimtaritë e  Call Center t’i zhvillojnë tërësisht brenda vendit. Ose të paktën të garantojnë që 80% e aktiviteteve t’i kryejnë në Itali.

Propozimi është mirëpritur nga disa sindikata, ndërsa të tjera e kanë kritikuar faktin që sidoqoftë për ndërmarrjet ky protokoll nuk do të përbënte asnjë detyrim për bizneset. Ato kërkojnë rishikim të plotë të ligjit dhe kontratave të punës.

Ky protokoll i propozuar nga ministri synon të hapë 20 mijë vende pune dhe të frenojë ikjen e vazhdueshme drejt vendeve fqinje.

Nëse kjo politikë vijon, të tjera Call Center priten të largohen nga Shqipëria dhe për pasojë dhjetëra të rinj rrezikojnë punët e tyre. /Blitz.al/

Shperndaje