Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Italia gjobit Call Center-at e parë. Disa janë në Shqipëri

Italia gjobit Call Center-at e parë. Disa janë në Shqipëri
January 09
09:25 2017

Një muaj më parë, në Itali hyri në fuqi ligji i ri për bizneset Call Center që funksionojnë jashtë këtij vendi.

E tashmë mediat italiane bëjnë me dije se janë vendosur masat e para me gjobë për ato biznese që nuk veprojnë konform ligjit, por e shkelin atë, ndërkohë që disa prej këtyre bizneseve janë të shtrira edhe në Shqipëri.

Gazeta “Corriere della Sera” shkruan se janë gjobitur 17 biznese Call Center që veprojnë në lindje, pra në vende si Shqipëria e vende të tjera që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian.

Gjobat janë vendosur sepse këto kompani kur kanë kontaktuar me klientët nuk u kanë bërë atyre me dije se po marrin në telefon nga një vend jashtë BE-së, siç është e shkruar qartësisht në ligj që klienti duhet të informohet.

Mes kompanive të gjobitura ka edhe shumë serioze, si kompani ajrore ose banka.

Zv.ministrja e Zhvillimit ekonomik Teresa Bellanova ka thënë se janë mbajtur shënime dhe janë marrë masa për ato kompani që kanë lëvizur vendndodhjet e tyre apo që nuk njoftojnë. “Kemi dhënë gjobat e para për ato kompani që veprojnë në vendet ekstrakomunitare që nuk japin të dhëna të sakta si neve, edhe klientëve”,- tha Bellanova.

Në artikull më tej shkruhet se kompanitë e Call Center kanë lëvizur prej vitesh në lindje, në vende si Shqipëria, sepse u leverdis nga kostoja e ulët e krahut të punës.

Në bazë të ligjit, nëse kompania nuk e respekton ligjin për informimin, gjobitet 50 mijë euro në ditë, çka do të thotë se nëse nuk respektohet mund të shkaktojë edhe falimentim të tyre.  /Blitz.al/

Komento
Shperndaje