Blitz | Kliko dhe Informohu

 Lajmi Fundit

Ish-hotel “Vollga”, gjyqtari Skënderi: Shullazit i është dhuruar më vonë

Ish-hotel “Vollga”, gjyqtari Skënderi: Shullazit i është dhuruar më vonë
April 22
17:31 2016

Gjyqtari Vladimir Skënderi, ndaj të cilit ka nisur hetimi nga Prokuroria e Durrësit, ka deklaruar se ish-hotel “Vollga”, deri në vitin 2013 rezultonte pronë e kompanisë “Arabian Saudi”, ndërsa më vonë i është dhuruar Emiljano Shullazit.

Skënderi së bashku me dy gjyqtarë të tjerë që dyshohen se kanë konsumuar elemente të veprës penale “shpërdorim detyre”, shpjegoi për “News 24” vendimin e gjykatës dhe faktet ku janë bazuar.

“Dua të garantoj publikun dhe njerëzit që më njohin se bëhet fjalë për një vendim të drejtë të bazuar në ligj dhe prova. Kemi qenë 3 gjyqtarë dhe kemi korrigjuar një problem të zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që kishin çregjistruar pronën e kompanisë “Arabian Saudi” pa qenë e pranishme. Por askujt nuk mund t’i hiqet prona pa një proces të rregullt gjyqësor. Kemi kërkuar të ndreqet ai gabim. Ky vendim është i formës së prerë, i nënshkruar nga të tre gjyqtarët. Dhe nuk mund të kontestohet. Deri më tani unë dhe kolegët e mia nuk jemi thirrur as nga gjykata, as në prokurori. Jam njoftuar nga familjarët për këtë gjë, të cilët e kishin dëgjuar në televizor”, – deklaroi Skënderi.

Sipas tij, gjyqi për pronësinë e ish-hotel “Vollgës” zgjati një vit në Gjykatën e Durrësit dhe më pas mori formë të prerë. Sipas tij, vendimi i dhënë nuk ka lidhje me Emiljano Shullazin, pasi atij i është dhuruar një vit më vonë.

Gjyqtari shpjegoi se kjo pronë i është dhënë nga ZVRPP shtetasit Zamir Hasa. Mënyra se si iu hoq pronësia “Arabian Saudi” dhe iu dha Zamir Hasës ishte e paligjshme. Kur “Arabian Saudi” është vënë në dijeni se i është hequr pronësia i është drejtuar gjykatës.